MENU
klinika

Opozita nuk pranon humbjen në 3 qytete

KQZ miraton rezultatin e zgjedhjeve në 9 bashki

22.05.2023 - 13:27

Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave për 61 kryetarë të rinj bashkish dhe 1661 anëtarë të këshillave të rinj të bashkive për zgjedhjet lokale të 14 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur certifikimin me radhë të rezultateve për 10 qytete. Të shtunën, anëtarët e KQZ miratuan bilancin e zgjedhjeve për Shkodrën, Vlorën, Elbasanin, Fierin, Korçën, Beratin, Lushnjen dhe Kamzën vetëm për kryebashkiakët e rinj, ndërsa të dielën u vulosën rezultatet për Tiranën dhe Durrësin (kryetarë bashkish dhe përbërjet e këshillave bashkiake). Të gjitha këto bashki që mbyllën zyrtarisht votimet, numërimin dhe certifikimin e rezultateve u fituan nga Partia Socialiste në pushtet. Nga ana tjetër, Grupi i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka denoncuar këto zgjedhje se janë manipuluar nga PS duke përdorur shantazhin, shit-blerjen e votës, keqfunksionimin e pajisjeve elektronike identifikuese (PEI), manipulimet me tabelat e rezultateve, votimin elektronik, etj. Në KQZ janë paraqitur deri tani 9 ankime nga forcat e ndryshme politike që kontestojnë rezultatet për këshillat bashkiakë të Pukës, Lezhës, Kamzës, Durrësit, Vorës e Tiranës nga “Foltorja” dhe partitë e vogla Lëvizja e Legalitetit, Aleanca Demokristiane, Uniteti Kombëtar Shqipëtare, etj. Kurse kandidati i “BF” në Kamzë, Arjan kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve në këtë bashki, ndërsa kandidati tjetër i “BF” në Kuçovë, Lefter Maliqi dorëzoi të premten kallëzim në SPAK për manipulim të zgjedhjeve në këtë bashki.

Nga Shkodra në Korçë, ja 10 kryetarët e rinj të bashkive që u njohën nga KQZ
Ditën e shtunë, KQZ legjitimoi si kryebashkiakë të rinj, 8 kandidatët e PS: Benet Beci në Shkodër (60.22% të votave), Gledjan Llatjen në Elbasan (56.23%), Ermal Dredhën në Vlorë (70.55%), Armando Subashin në Fier (69.33%), Sotiraq Filon në Korçë (60.64 %), Eriselda Sefën në Lushnje (62.64%), Ervin Demon në Berat (61.47%) dhe Raki Sulin në Kamzë (60.36%) të votave. Të shtunën, KQZ njohu Erion Veliaj si kryebashkiak të Tiranës (mandati i tretë), pasi mori 54.69% të votave (158.688 vota) ndaj rivalit të tij kryesor, ish-deputetit demokrat nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi, i cili siguroi 34.58% të votave totale (ose 100.351 vota) dhe Emiriana Sakon në Durrës. Kjo e fundit mposhti rivalin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara me 9728 vota diferencë (48.512 kundrejt 38.784 vota), ose 57% të votave. Po ashtu u certifikuan rezultatet për këshillat e bashkive Tiranë dhe Durrës. Në kryeqytet, socialistët morën shumicën e vendeve (34 nga 61), njësoj si në Durrës (28 nga 51). Çertifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 14 majit do të vazhdojë në ditët në vijim, edhe pse duhej të kishte përfunduar më herët.

Bilanci katastrofik i opozitës në 14 maj, PSD forcë e parë në 3 këshilla
Në zgjedhjet lokale të 14 majit, Partia Socialiste fitoi në mënyrë thuajse absolute duke siguruar 53 nga 61 kryebashkiakë të rinj. Në rang të këshillave bashkiake, socialistët morën 760 vende nga 1661 në total. Opozita pësoi në 14 maj rezultatin më të dobët në historinë e saj, ngjashëm me zgjedhjet lokale të 1996, duke i dhënë fuqi absolute PS. Forcë politike në rritje rezultoi dhe Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, aleate e PS. Ajo doli forcë e parë politike në këshillat e bashkive të Malësisë së Madhe (8 nga 31), Pukë (4 nga 15) dhe Vaun e Dejës (10 nga 31) kurse në Fushë-Arrëz doli barazim me PS (3 me 3). Në Shkodër, PSD mori plot 12 vende në këshillin bashkiak, 1 më pak se forca kryesore opozitare “BF”. Suprizë në këto zgjedhje ishte renditja e kandidatit për kryebashkiak të Tiranës, Arlind Qori në vendin e tretë pas Erion Veliajt dhe Belind Këlliçit, duke lënë pas kandidatin e PD zyrtare Roland Bejkon (13.835 vota ndaj 12.388).

Rezultatet e PS për këshillat e bashkive, ja shifrat në 12 qarqe
Nga 1661 mandate të këshillat e bashkive PS ka siguruar rezultatin më të mirë duke dalë forcë e parë me 760 këshilltarë të rinj. Nga 61 këshilla bashkiake, socialistët janë mundur në 3 të tilla nga aleati i tyre PSD (Vaun e Dejës, Pukë dhe Malësi e Madhe). Rezultati i socialistëve për këshillat bashkiake në 12 qarqe është: 76 nga 144 në Tiranë, 86 nga 177 në Elbasan, 35 nga 143 në Shkodër, 73 nga 127 në Gjirokastër, 85 nga 154 në Korçë, 70 nga 113 në Berat, 86 nga 175 në Vlorë, 12 nga 73 në Kukës, 37 nga 94 në Dibër, 113 nga 186 në Fier, 22 nga 91 në Lezhë dhe 65 nga 184 në Durrës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN