Nga Tom Nichols “The Atlantic”
Unë vizitova Kievin muajin e kaluar për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, një udhëtim që kërkonte një ditë e gjysmë. Natyrisht, u njoha edhe me disa nga oficerët e sigurisë amerikane që po më shoqëronin mua dhe kolegët e mi në Kongresin e SHBA-së.
Kur hipëm në tren për një udhëtim 12-orësh drejt Kievit, duke e ditur se po hynim në zonën e luftës, pyeta një nga oficerët e sigurisë. “A jeni ndonjëherë të shqetësuar se mos Rusia do t’ju godasë gjatë rrugës? – “Jo, aspak” – m’u përgjigj ai duke qeshur.
Ky është ndoshta realiteti më i dukshëm në terren të cilin SHBA-ja vazhdon ta injorojë: ushtria ruse nuk përbën më një kërcënim për NATO-n. Po ashtu ajo rrëzon arsyen themelore që përmendin shumë njerëz për mbështetjen e pafundme të Ukrainës: “Nëse nuk e ndalojmë Putinin në Ukrainë, ai do ta zgjerojë luftën në të gjithë Evropën.”
Pushtimi i Putinit ka shërbyer si një demonstrim bindës se trajnimi, doktrina dhe pajisjet ushtarake të Rusisë janë mbivlerësuar shumë. Ne duhet të jemi mirënjohës për këtë realitet të ri dhe të përshtatim sjelljen tonë në përputhje me rrethanat. Ky ishte dhe mesazhi im për presidentin Zelenski.
Populli amerikan, përfshirë veten, e ka mbështetur me krenari çdo përpjekje për të ndihmuar popullin e Ukrainës. Por ne nuk mund të vazhdojmë të injorojmë faktin se fusha e betejës ka ndryshuar ndjeshëm gjatë 14 muajve të fundit, dhe se realitetet ushtarake kanë ndryshuar bashkëme të.
Këtu lind pyetja: Sa kohë dhe sa para dhe për cilin qëllimi jemi të gatshëm të impenjohemi për Ukrainën? Presidenti Bajden vazhdon të zotohet për mbështetjen e tij të plotë për Ukrainën “për aq kohë sa të duhet”. Por ky angazhim abstrakt ngre një pyetje edhe më të ngutshme: Për aq kohë sa duhet për të bërë çfarë?
Përgjigja e presidentit Zelenskit ndaj kësaj pyetje është e qartë. Ai është i angazhuar të çlirojë çdo pëllëmbë territor ukrainas që është pushtuar nga forcat ruse, përfshirë Krimenë. Madje ka deklaruar se refuzon të hyjë në bisedimet e paqes nëse Rusia nuk tërhiqet nga Gadishulli i Krimesë.
A nënkupton pikërisht këtë Bajden kur thotë “për aq kohë sa duhet”? Nëse po, atëherë ne duhet ta përgatitim popullin amerikan për një konflikt të gjatë dhe të përgjakshëm, në të cilin në një moment do të duhet të angazhohen edhe ushtarët amerikanë.
Sepse Ukraina nuk ka asnjë shpresë për ta rimarrë Krimenë pa përfshirjen e drejtpërdrejtë ushtarake të SHBA-së. Dhe gadishulli është një “vijë e kuqe” për Putinin. E megjithatë, unë vazhdoj të dëgjoj nga liderët politikë që thonë se ne mund ta menaxhojmë një përshkallëzim gradual të situatës në Ukrainë për ta mposhtur Rusinë.
“Dërgojuni atyre tanket Abrams dhe avionët tanë F-16. Ky hap do ta detyrojë Putinin të tërhiqet”- thonë ata. Por këto pretendime injorojnë historinë. Sa të saktë ishim ne dikur në parashikimin e rezultatit të luftës në Vietnam, Irak, Libi apo Afganistan? Në fakt, pasojat e papritura të luftës së Putinit po nisin të ndihen tashmë.
Marrëdhënia gjithnjë e më e ngushtë midis Kinës dhe Rusisë është vetëm një shembull, teksa ajo i ka dhënë mundësi Moskës të vazhdojë të financojë luftën e saj. Por për hir të interesit tonë jetik të sigurisë kombëtare, unë besoj se ka ardhur koha për ta ndryshuar këtë strategji.
Së pari, ne duhet t’i mbajmë aleatët tanë evropianë përgjegjës për sigurimin e vetes dhe fqinjëvetë tyre. Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar me mbi 47 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, krahasuar me pak më shumë se 3 miliardë dollarë nga i gjithë Bashkimi Evropian. Nëse presidenti Bajden nuk do të kërkojë që BE-ja të barazojë kontributin, atëherë Kongresi duhet ta miratojë këtë kushtëzim në çdo autorizim për shpenzime shtesë.
Së dyti, ne duhet të balancojmë përpjekjet tona në Ukrainë kundër kërcënimit ushtarak që na vjen nga Kina. A po shpenzojmë armë dhe municione të vlefshme, të cilat mund të jenë të nevojshme për t’u mbrojtur kundër një pushtimi kinez të Tajvanit? Lufta në Ukrainë, vetëm sa e ka bërë Kinën më të guximshme, dhe ne duhet të jemi të përgatitur.
Së treti, ne duhet të kërkojmë që presidenti Zelenski të jetë i gatshëm të diskutojë një armëpushim të mundshëm, pa asnjë parakusht në lidhje me Krimenë. Një marrëveshje e tillë do të zvogëlonte ndjeshëm mundësinë e një përshkallëzimi në këtë konflikt.
Së katërti, ne duhet të kërkojmë më shumë përgjegjësi për miliarda dollarët e taksapaguesve të shpenzuara në këtë luftë. Transparenca duhet të nisë nga pensionet e punonjësve dhe mësuesve të qeverisë ukrainase, të cilat financohen aktualisht nga dollarët e taksapaguesve amerikanë. Mendoj se të gjithë mund të biem dakord se kjo situatë duhet të marrë fund.
Kjo pranverë është një periudhë vendimtare për luftën, pasi ka të ngjarë të nisë një ofensivë e re e ushtrisë ukrainase. Nëse shpresojmë vërtet tek një zgjidhje e këtij konflikti, ne duhet të kemi synime të mirëpërcaktuara, dhe duhet të jemi në gjendje që t’i komunikojmë qartë ato.