Që Vladimir Putin, diktatori i padiskutueshëm rus, ka përdorur gjatë dekadave të tij në pushtet, lloj-lloj mënyrash për të asgjësuar armiqtë, kjo është e ditur tanimë. Megjithatë, duket se ai po bëhet i pamëshirshëm dhe tani, për arsye që nuk dihen, qarkullojnë aludime se po tenton të heqë qafe edhe njerëz që kanë qenë aleatë dhe besnikë të tij, në çdo rast. Para pak javësh, kur lideri çeçen Ramzan Kadyrov u raportua se kishte probleme me shëndetin, qarkulluan thashetheme se ai mund të ishte helmuar. Pas kësaj ngjarjeje ai është zhdukur nga skena. Rasti i tij, duket se po përsëritet, pasi diktatori bjellorus, Alexander Lukashenko ka shfaqur probleme me shëndetin, dhe një nga hipotezat është se shkaku i gjendjes së tij është helmimi.
Rasti i Kadyrov
Para pak javësh, u raportua se Kadyrov ishte në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të problemeve serioze me veshkat. Disa burime opozitare thanë asokohe se sëmundja e veshkave ishte shkaku që ai mungoi në fjalimin e Putinit drejtuar kombit në 12 shkurt, si dhe shkak i fytyrës së tij të fryrë teksa u shfaq në kryeqytetin e Çeçenisë.
Aleati i ngushtë i Vladimir Putin, që bëri thirrje për përdorimin e armëve nukleare kundër Ukrainës, dyshohet se thirri një prej doktorëve më të mirë të Emirateve të Bashkuara Arabe për ta kuruar, pasi nuk iu zinte besë mjekëve nga Moska. Sipas pretendimeve, Kadyrov mund të ishte helmuar, madje gazetari kazak Azamat Maytanov tha se mund të ishin ditët e fundit të tij, për shkak të helmimit. Nëse dikush ishte përfshirë shumë në punë të pista gjatë luftës në Ukrainë, ishte pikërisht Ramzan Kadyrov, ushtaraku çeçen që e ka quajtur veten “ushtari i këmbës së Putinit”. Forcat çeçene morën pjesë në rrethimin e Mariupolit dhe ishin ndër forcat pushtuese që vranë civilë në periferi të Kievit.
Helmimi i Lukashenkos
Ndërsa rasti i Lukashenkos, duket edhe më i mistershëm. Presidenti i Bjellorusisë nuk ishte parë në publik që nga 9 Maji dhe nuk u shfaq në një ceremoni në kryeqytetin e Minsk gjatë fundjavës, duke shkaktuar spekulime se lideri është i sëmurë rëndë. Kjo ishte hera e parë që mungonte që kur mori detyrën më të lartë shtetërore në këtë ish-republikë sovjetike 29 vjet më parë.Ai dyshohet se është “infektuar nga një virus”, ndërsa disa burime besojnë se ai është “helmuar”. Megjithatë, mediat shtetërore bjelloruse publikuan një foto të presidentit, në një qendër ushtarake, ku dora e majtë e diktatorit dukej e fashuar, ndonëse nuk dihej nëse fotoja është bërë ditët e fundit. “Lukashenko është i sëmurë. Ai nuk ka Covid, thjesht është i lodhur”, tha për portalin rus Podjom, përfaqësuesi i Dumës dhe nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Shtetet Post-Sovjetike, Konstantin Zatulin. “Kommersant” i Moskës shkroi se Lukashenko “dukej i rraskapitur” në Moskë dhe se duhej ta çonin në paradë me një skuter sepse ai nuk mund “të ecte as 300 metra nga makina në tribunë”. Lukashenko u ul gjatë gjithë paradës pothuajse pa lëvizur, dhe më pas fluturoi menjëherë për në Minsk, duke humbur një darkë të përbashkët me Putinin dhe të ftuarit e tjerë.
Grusht shteti në Bjellorusi
Pak kohë më parë boshti midis Moskës dhe Minskut dukej shumë solid, me analistët që jepnin si konkrete hipotezën se Bjellorusia mund të hynte në luftë përkrah Rusisë në Ukrainë. Një rrethanë që nuk ka ndodhur, por tani skenarët kanë ndryshuar aq shumë sa që Kremlini tani dëshiron të tërheqë me çdo kusht vendin aleat në konflikt. Por si? Lideri rus Vladimir Putin dyshohet se po planifikonte një “sulm” ndaj presidentit Aleksandër Lukashenko. Dy skenarë po studiohen nga Gru, shërbimet sekrete ushtarake. Një përpjekje e rreme për të vrarë Lukashenkon, me qëllim për ta frikësuar dhe për ta detyruar atë të shkojë në luftë kundër Ukrainës së bashku me Moskën, ose vrasja e tij. Në rastin e fundit, sekretari i përgjithshëm i CSTO-së, Stanislav Zas, i cilësuar si besnik i Kremlinit dhe nën kontrollin e GRU-së, do të merrte drejtimin e vendit. Në të dy skenarët, do të tregoheshin ‘dëshmi’ të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara, Polonisë dhe Ukrainës në sulm, për të futur Minskun në luftë përkrah Moskës. Megjithatë, objektivi i Moskës do të ishte një bashkim i dy ushtrive nën komandën e Kremlinit. Edhe nëse Lukashenko do të mbetej gjallë, ai në fakt do të pafuqizohej dhe vendi do të shkonte drejt një bashkimi me Rusinë.