E quajnë lojë, por etiketave s’u besohet sot. Futbolli është i vështirë, i ashpër, i pamëshirshëm: nuk fal asgjë, madje as atyre që kanë nevojë. Të gjesh rrugën në një kontekst të tillë nuk është e lehtë.
RASTI MË I MIRË — Në fund të qershorit 2022 “RedBird”-i rinovoi me Maldinin dhe Masarën, e pas tyre nënshkroi një kontratë trevjeçare edhe me Piolin. Më pas nga Benaser te Tonali, nga Zhiru te Leao, klubi u ka besuar të gjithë lojtarëve kryesorë të tij, duke treguar se ata besojnë në idetë dhe njerëzit që sollën titullin një vit më parë. Milionat nga Liga e Kampioneve e ardhshme do të shërbenin për të forcuar ekipin, për t’u fokusuar në dy lojtarë cilësorë e për të vazhduar një rrugë që filloi në 2019-ën dhe u ngadalësua pjesërisht në këtë 2023 sa të çuditshëm aq edhe të çmendur.
SKENARI MË I KEQ — Një paraqitje e keqe sot dhe një parakalim nga Roma, me një rrëshqitje në Ligën e Europës, nga ana tjetër, do të hapte dyshime për një projekt që ka pasur shumë uljengritje këtë sezon. Nga njëra anë, gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve shkon përtej çdo pritshmërie, sepse Milani sigurisht që nuk ka një skuadër për të qenë mes katër më të mirave europiane. Nga ana tjetër, skuadra ka bërë hapa prapa. Kesi mungoi shumë dhe disa lojtarë – Kalulu, Rebiç – patën regres.
Nënshkrimet e verës, De Ketelere dhe Origi mbi të gjitha, dhanë pak ose aspak. Humbja e milionave nga Champions-i është e rëndë, teksa Liga e Europës heq prestigjin, shikueshmërinë ndërkombëtare dhe të paktën 35 milionë më pak në nivel arkëtimesh. Te gjitha këto do të detyronin kuqezinjtë të bënin edhe një herë planet e merkatos, ndërkohë që Xherri Kardinale do të duhej të reflektonte për Maldinin, Masarën dhe Piolin, pra të gjithë njerëzit kryesorë të këtij projekti, që kulmoi vjet me titullin, e që mund të mos gjejë miratimin e pronarit për vazhdimësi.