MENU
klinika

Analiza

Me apo pa Putinin, si është më e rrezikshme Rusia?

31.05.2023 - 09:00

Nga Marsela Shytia

Duket e çuditshme, por në Perëndim ka nisur të flitet hapur për mundësinë e disfatës së Vladimir Putin, në fushën e betejës, në luftën e pakuptimtë që vazhdon prej shumë muajsh në Ukrainë. Kjo sepse një Rusi humbëse, do të jetë “hakmarrëse” dhe pa dyshim kërcënim për Perëndimin, sidomos Britaninë e Madhe. Ky ka qenë edhe përfundimi i kreut në largim të RAF, Sir Mike Wigston, Shefi i Shtabit Ajror. Ai ka paralajmëruar se kërcënimi do të zgjasë ose do të përkeqësohet nëse presidenti rus, Vladimir Putin rrëzohet. Duke iu referuar konfliktit, Sir Mike tha: “Kur konflikti në Ukrainë të përfundojë dhe Ukraina të ketë rivendosur kufijtë e saj, siç duhet, ne do të kemi një Rusi të dëmtuar, hakmarrëse dhe brutale, mjeti i së cilës për të na dëmtuar është përmes sulmit ajror, sulmit me raketa dhe sulmit nëntokësor.” Komentet e tij mbi kërcënimin e Rusisë pas përfundimit të luftës në Ukrainë janë të rëndësishme, pasi është hera e parë që një udhëheqës ushtarak perëndimor shpreh publikisht shqetësimet që mendohet se janë diskutuar privatisht, speciifikisht skenari se si mund të veprojë Rusia nëse mposhtet në Ukrainë.

Ndihma e Perëndimit

Në fillim të këtij muaji, gjenerali amerikan Christopher Cavoli, kreu i Komandës Evropiane të vendit të tij, tha se pavarësisht humbjeve të mëdha të ushtrisë si rezultat i luftës në Ukrainë, forcat e armatosura ruse mbeten një kërcënim i rëndësishëm. “Forcat tokësore janë dobësuar shumë. Ata kanë hasur probleme të mëdha por marina nuk ka humbur pothuajse asgjë”, tha ai.Aleatët e Ukrainës kanë këmbëngulur se do të mbështesin planin e Kievit për të rivendosur kufijtë e tij me mjete ushtarake.Në fillim të këtij muaji, kryeministri britanik Rishi Sunak dhe homologu i tij holandez Mark Rutte ranë dakord të ndërtonin një “koalicion ndërkombëtar” për të ndihmuar në blerjen e avionëve luftarakë F-16 për Ukrainën.Dhe presidenti i SHBA Joe Biden miratoi planet për të lejuar aleatët të trajnojnë forcat ukrainase se si të operojnë F-16. Kjo duket se zemëroi autoritetet ruse dhe ministri i Jashtëm i Rusisë tha se vendet perëndimore po “luajnë me zjarrin”. Sergei Lavrov akuzoi Perëndimin për ‘një përshkallëzim të papranueshëm’ të luftës.

Rusia pa Putin

Sakaq, duke bërë një paralajmërim të ashpër, Sir Mike ka thënë se kërcënimi nga Rusia ka të ngjarë të zgjasë me vite dhe mund të përkeqësohet, edhe nëse Putini detyrohet të largohet nga pushteti, Sir Mike tha se sistemi i Kremlinit “nuk është vetëm për një person”. Ai tha se të tjerët, që presin të marrin pushtetin në Moskë, “mund të jenë po aq brutalë dhe të egër sa Putin”. Sipas tij, Rusia do të mbetet një nga kërcënimet e qëndrueshme ndaj Britanisë së Madhe edhe pas performancës së dobët të Moskës në Ukrainë.Sir Mike shtoi: “Ka një strukturë të tërë dhe një hierarki pas Putinit. Pra, edhe nëse Putini do të zhdukej nga skena, ka të tjerë të panumërt që mund ta zëvendësojnë atë”. Deklaratat duket se i referohen spekulimevese njerëz si Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar Wagner, ose Ramzan Kadyrov, diktatori vrasës i Çeçenisë, mund të pasojnë Putinin. Nëse jo ata, me siguri Putin do të zgjedhë të vendosë në “fron”, ndonjë nga njerëzit e tij të besuar.

Will Putin Unleash Russia's Colossal Air Force on Ukraine?

Leksionet për Perëndimin

Sir Mike tha po ashtu se lufta e paligjshme e Rusisë në Ukrainë kishte identifikuar mësime të tjera për forcat e armatosura perëndimore. “Na tregoi dobinë e dronëve, padyshim një tipar i betejave në të ardhmen”, argumenton ai. Po ashtu ekspertë të tjerë kanë argumentuar se lufta i mësoi Perëndimit se konflikte si këto është më mirë t’i parandalosh sesa t’i përballosh.  Së dyti, shantazhi bërthamor është një mjet i fuqishëm për shtetet agresore, disa prej të cilave ushqejnë ende dëshirën për territorial aneksime njëlloj si dikur. Së treti, që realiteti politik formësohet nga ngjarjet në fushën e betejës dhe që fituesit korrin shpërblimet e suksesit ushtarak. Dhe së fundmi që marrëdhënia transatlantike është absolutisht thelbësore për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ndaj, Sir Mike, me37 vite eksperiencë, tha se edhe pas shumë vitesh nga tani, kërcënimi më i madh do të jetë nga Rusia, qoftë me ose pa Vladimir Putin.