Sipas agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, përfaqësimi i grave në nivel vendor vazhdon të jetë më i ulët krahasuar me burrat.
Në zgjedhjet e afërta lokale vetëm 15 nga 144 kandidatët për postin e kryetarit të bashkisë (10.4%) janë gra. OKB-ja u bëri thirrje partive politike që të promovojnë pjesëmarrjen aktive të të gjitha grave dhe vajzave në zgjedhje, si votuese dhe si kandidate, përfshirë gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara, gratë rome dhe egjiptiane, vajzat e reja dhe gratë dhe vajzat nga zonat rurale.
“Përsa u përket kandidatëve për kryetar bashkie, partitë nuk kanë kuota, pra ligji I Kodit Zgjedhor nuk parashikon kuota të barazisë gjinore ashtu siç parashikon për këshillat bashkiakë dhe për parlamentin. Pikërisht kjo tregon se aty ku ligji nuk parashikon përfaqësim të detyrueshëm të grave dhe vajzave, partitë politike nuk e kanë vullnetin ende për të caktuar gra dhe vajza kandidate aty ku parashikohet një sistem mazhoritar.
Të bën përshtypje fakti që përsa i përket pjesëmarrjes së grave në qeveri, ne mbajmë ndër vendet e para në botë, ndërsa në nivel vendor në lëmë për të dëshiruar. Kjo është për shkak të miteve të gabuara se gratë dhe vajzat mund të mos marrin vota kur është sistem mazhoritar, ndërkohë që është treguar ndryshe, se pjesa më e madhe e atyre grave dhe vajzave të cilat janë vendosur edhe për kryetare bashkie i kanë fituar garat e tyre. Një argument tjetër I diskriminimit gjinor është edhe mungesa e aksesit në financat politike të grave dhe të vajzave kandidate. P.sh. këtë vit partitë politike që po garojnë në fushatën për zgjedhjet vendore 2023 kanë përfituar nga buxheti I shtetit gati 98 milionë lekë te reja, nga të cilat 42 milionë lekë o ka përfituar Partia Socialiste, 25 milionë Partia Demokratike dhe 15 milionë Partia e Lirisë, si dhe 12 parti të tjera, të cilat kanë përfituar fonde publike. Nga disa studime që ne kemi bërë në zgjedhjet paraardhëse tregohet që gratë dhe vajzat kanë zero akses ne financat publike të partive politike“- shprehet Edlira Çepani, Aktiviste e të Drejtave të Njeriut.