Erling Haland shënoi golin e 50-të sezonal, ndërsa realizoi nga pika e penalltisë në vizitën e Mançester Sitit në “Craven Cottage” të dielën.
Sulmuesi norvegjez u bë futbollisti i parë që luan në Angli, i cili shënon 50 gola gjatë një sezoni që prej vitit 1931, duke thyer një rekord 92-vjeçar në ishull. Goditja e 22-vjeçarit nga 11 metra në minutën e 3- të në ndeshjen kundër Fulhamit e barazoi atë me rekordin e Alan Shirerit dhe Endi Kolit për golat e një sezoni në Premier Ligë (34).
Golashënuesi më i mirë i historisë së Premier Ligës shënoi 34 gola për Blekbërnin në vitin 1995, të cilit i bashkohet edhe ai i sulmuesit të Mançester Junajtidit, Endi Kol, i cili shijoi një sezon rekordesh duke luajtur për Njukasëllin dy vite përpara Shirerit. Halandi rimori detyrën e ekzekutimit të penalltive, pasi ia kishte lënë të fundit Mahrezit, ndërsa e dërgoi Bernd Lenon në krahun e gabuar. Ai dhe goli i Hulian Alvarezit i siguruan “qytetarëve” fitoren e tetë radhazi në Premier Ligë, duke qenë tashmë seria më e gjatë e fitoreve nga një skuadër e Premier Ligës në këtë sezon (thyen rekordin e 7 fitoreve të Arsenalit nga shkurti deri në prill).
Për norvegjezin ishte goli i 50-të sezonal në të gjitha kompeticionet, 21 më shumë sesa çdo lojtar tjetër i klubeve të Premier Ligës gjatë 2022- ’23-shit dhe shtatë më shumë sesa kanë shënuar shtatë klube të Premier Ligës në të gjitha kompeticionet këtë sezon. Talenti i Guardiolës ka shënuar 4 tripleta në Premier Ligë, bashke me një tjetër në Kupën FA dhe ndeshjes me 5 gola në Champions kundër Lajpcigut. Ai është gjithashtu shënuesi më i mirë aktualisht në 5 kampionatet kryesore të Europës, duke lënë pas Viktor Osimhenin e Napolit, Kilië Mbapenë te PSG-ja dhe Herri Kejnin te Totenhemit. I vetmi rekord që duket pak i vështirë në ndeshjet e mbetura është ai i të gjitha kohërave, që u vendos nga Diksi Din në vitin 1928: 60 gola në një sezon të vetëm në futbollin anglez.
Por Haland nuk po tregon shenja ngadalësimi edhe në këtë sprint të fundit të sezonit. Ai ka shënuar 6 gola në 4 ndeshjet e fundit të Sitit në Premier Ligë, ndërsa ka asistuar edhe dy gola në fitoren e rëndësishme 4-1 ndaj Arsenalit. Me sytë drejt një triplete, tani norvegjezi fokusin do ta ketë edhe në objektivin për të arritur në finalen e Ligës së Kampioneve për herë të dytë në historinë e klubit. Mançester Siti do të udhëtojë drejt shtëpisë së kampionëve në fuqi, Realit të Madridit të martën 9 maj, në të njëjtin stadium ku ata u eliminuan nga Champions-i dramatikisht sezonin e shkuar.