Partitë mbyllin sot fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 majit, fushatë e cila për analistin Mentor Nazarko, tha se nga ana e PS është zgjedhur një fushatë që synon ta paraqesë garën mes alternativës së vjetër, asaj që sheh pas dhe të resë, asaj që sheh para.
“Duket se nga ana e PS, që praktikisht qeveris edhe Bashkitë, është zgjedhur një fushatë që synon ta paraqesë garën mes alternativës së vjetër, asaj që sheh pas dhe të resë, asaj që sheh para. Kjo nuk e përjashton ekzistencën e elementëve të garës lokale, ku afirmohen kandidatë të caktuar me një bilanc të suksesshëm. Sa i takon Tiranës, duhet ta veçojmë, Veliaj po përpiqet të arrijë një shumicë dërrmuese në raport me kundështarin e tij, Këllicin, si e tregon artileria e rëndë, mbështetja e figurave ndërkombëtare, apo të artit e kulturës për të, por jo vetëm. Duket se ka një objektiv për maksimizim të fitores edhe në nivel të këshillit bashkiak, diçka që tregon qartë ambiciet e tij edhe për të ardhmen.
Këllici, ndonëse përfaqëson një rast individual bashkëjetese me një të re që vjen nga familje e majtë, në media ka treguar qasje sektare në lidhje me këtë marrëdhënie, ndonëse mund të
bënte të kundërtën, në kërkim të votave gri. Ka treguar ngrirje apo perimetër të caktuar politik të marrëdhënieve në plani familjar. Ky është një nga ato komplekset e vjetra tek një figurë e re që nëse nuk do peshojë negativisht nuk do shërbejë në pikë force për të – as tek militantët dhe as tek pjesa gri.
Ndarja në të majtë e të djathtë, në këtë garë është e nënvlerësuar nga zhvillimet e jetës sot që përcaktohen nga interesat. Sot njerëzit vendosin mbi bazën e tyre, jo mbi bazën e ngjyrës ideologjike.
Mund të kemi ndryshime të preferencës elektorale, Parashikoj një garë të vështirë në Shkodër. Beci është dikush si figurë manaxheriale e lartë që për shkak të bashkëjetesës së tij me të dy qeveritë, përfaqëson një figurë që di shumë rreth shefave, ka patur besimin e tyre, por është një figurë e paqortueshme, ndaj dhe Berisha e kurseu në tubimin e tij në Shkodër. Është një figurë e zgjedhur drejt, që reflekton orientimin kah interesave, ashtu si dhe ata që sot po e mbështesin- PSD, Cela dikur me Metën, apo artistë si Luiz Ejlli..
Do duhet evidentuar se në disa aspekte PS nuk ka treguar maksimumin për të ofruar kandidatët më të mirë. Rikonfirmimi i disave është tregues i vështirësisë për të gjetur figura të reja. Gara pritet e vështirë në Durrës e Shkodër, ndoshta edhe në Elbasan. Në bashki të caktuara, nuk e përjashtoj të ketë një ndryshim të udhëheqjes, pra fitore nga subjekti udhëhequr nga Berisha-Meta.”- u shpreh Nazarko.