Aleanca ushtarake e NATO-s u ka kërkuar institucioneve të Kosovës që të ulin tensionet në veri të vendit pas përplasjeve ditën e djeshme me serbët, të cilët protestuan para objekteve të komunave teksa kryetarët e rinj po tentonin që të futeshin në godinë.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, thotë se palët duhet të zgjidhin situatën përmes dialogut, duke shtuar se misioni i KFOR dhe NATO mbetent vigjilent për të oftuar një mjedis të sigurtë.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut.
Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurtë”, shkroi në Tëitter, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.
Kujtojmë se një sërë tensionesh kanë ndodhur ditën e djeshme në Kosovë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, konfirmoi se kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq u vendosën në zyrat e tyre në objektet komunale.
Policia e Kosovës ka shoqëruar kryetarët e rinj për të hyrë në objektet komunale të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviçit, komuna të banuara me shumicë serbe, përkundër rezistencës së një grupi qytetarësh. Policia përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët që protestonin rreth objekteve komunale.