Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se një draft i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të prezantohet nga ana e Kosovës.
“Pritjet e mia si presidente, është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse ne nuk guxojmë që të lejojmë që drafti i të ashtuquajturit ekip menaxhues që në realitet është draft i Vuçiçit, të bëhet bazë e negociatave, pra ta kemi draftin tonë i cili që është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe siguron që nuk preket as sovraniteti, as integriteti territorial,” i ka thënë mediave Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.
Zyrtarë të BE-së kanë konfirmuar se në agjendën e takimit të sotëm pritet të jenë dy çështje kryesore: miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit dhe paraqitja e draftit të parë të statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Më herët nga Qeveria e Kosovës, është bërë e ditur se një draft i statutit të Asociacionit pritet të prezantohet në Bruksel nga i ashtuquajturi grup menaxhues që është themeluar në bazë të marrëveshjes së parë në lidhje me Asociacionin të nënshkruar më 2013 mes dy vendeve.
Marrëveshja për Asocacionin nuk është zbatuar kurrë, pasi Serbia këmbëngul në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa Kosova thotë se ato kompetenca do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.
Vuçiç shkroi në llogarinë e tij në Instagram se “do të jetë vështirë”.
Në anën tjetër, sa i përket pikës tjetër të takimit që ka të bëjë me personat e zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, Osmani tha se miratimi i një deklarate për këtë çështje është shumë e rëndësishme.
“Ky është një hap i rëndësishëm në procesin e dialogut me Serbinë sepse do ta detyrojë Serbinë që t’i hapë arkivat, aty ku gjinden edhe dëshmitë për mbi 1.600 të zhdukur me dhunë të luftës së fundit në Kosovë. Natyrisht kemi shumë dyshime në atë se çfarë do të zbatojë Serbia, megjithatë shpresojmë që pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët nëse nuk bllokohet nga ana e Serbisë, do të përfundojë sot, partnerët ndërkombëtarë të sigurohen që çdo hap që premtohet, të zbatohet”, tha Osmani.
Autoritetet kosovare i kanë akuzuar vazhdimisht ato në Serbi se nuk po bëjnë sa duhet për zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave ende të zhdukur./REL