Shkalla e papunësisë në Kinë ka pësuar një rritje “të frikshme” përgjatë viteve të fundit, ku sipas ekspertëve në vitin 2023 ka arritur në nivele rekord e për rrjedhojë ka ardhur një propozim i ri. Pekini ka propozuar që të rinjtë të papunë të dërgohen në fshat 2-3 vjet për të punuar në fusha. Provinca kineze Guangdong u vetëofrua se mund të ndihmojë të diplomuarit në kolegje dhe sipërmarrësit e rinj të gjejnë punë në fshatra.
Edhe vetë Presidenti Xi Jinping në dhjetorin e kaluar tha se të rinjtë do duhet që të kërkojnë punë në zonat rurale në një përpjekje për të rigjallëruar ekonominë e fshatrave. Mirëpo ky propozim nuk ka gjetur shumë mbështetje. Disa e kanë konsideruar si një politikë e ish-udhëheqësit Mao Ce Dun, kohë kur dhjetëra miliona të rinj të qyteteve u internuan në zona të largëta të Kinës, ndërkohë që kohët kanë ndryshuar.
“Studentët kinezë, të rraskapitur nga bllokimet që erdhën nga pandemia dhe të shqetësuar për modelin gjithnjë në zhvillim të kapitalizmit shtetëror të Kinës, kanë filluar të kuptojnë se një diplomë nuk mund të përmirësojë pozicionin e tyre shoqëror dhe as të rezultojë në ndonjë përfitim tjetër të garantuar”, tha Craig Singleton, një profesor në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
Media shtetërore fajin për mungesën e vendeve të punës po ia kalon vetë të rinjve. Ata kanë botuan një seri artikujsh duke kritikuar të rinjtë se janë “shumë mendje mëdhenj” për punën e për pasojë i nxisin ata “të lënë mënjanë krenarinë dhe të bëjnë punë fizike”.
Rritja e papunësisë te të rinjtë është kryesisht rezultat i ngadalësimit ekonomik të Kinës. Masat e marra kundër COVID-19 i dha vendit një goditje të madhe ekonomike që e ka të vështirë të rikuperojë veten. Papunësia është shfaqur kryesisht në moshat 16-24 vjeç, shifër e cila është rritur në 2023 në 19.6%, një nivel rekord.