Marrëdhënia mes Kroacisë dhe Serbisë është mbase një nga më të çuditshmet mes shteteve në rajon, mbase e përkufizuar më së miri me shprehjen “tërhiq e mos e këput”. Kjo sepse shpesh herë marrëdhëniet kanë qenë të luhatuara dhe politikanët serbë dhe kroatë kanë sulmuar përmes deklaratave njëri-tjetrin. Megjithatë, here pas here ka edhe takime dhe përpjekje që të “ulin gjakrat”, ndonjëherë të suksesshme e ndonjëherë jo.
Vizita e Brnabiç
Së fundmi, ka patur një takim mes kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviç dhe kryeministres serbe, Ana Bërnabiç. Kjo e fundit ka thënë se stabiliteti në rajon varet nga marrëdhëniet Zagreb-Beograd. “Kam pasur një takim të mirë, shumë specifik me Plenkoviçin, të gjitha temat janë hapur, marrëdhëniet mes nesh janë të ngarkuara me pyetje të shumta, mosbesim të madh, tema emocionale për të gjithë ne, duhet të punojmë për përmirësimin dhe afrimin e marrëdhënieve tona, për shkak të komunitetit serb në Kroaci dhe komunitetit kroat në Serbi”, ka thënë Brnabiç. “Në dialog, ne duhet të vazhdojmë të zgjidhim çështjet e hapura dhe të përmirësojmë bashkëpunimin ekonomik, transportues dhe energjetik. Ne kujdesemi për mbrojtjen e pakicës kroate në Serbi, si dhe të serbëve në Kroaci,” shkroi Plenkoviç në Twitter.
Akuzat e Milanoviç
Megjithatë, krejtësisht ndryshe është pritur vizita nga presidenti kroat. Zoran Milanoviç u tregua iashpër me kryeministren serbe, duke e quajtur “zëdhënëse” dhe “korriere” të Aleksandër Vuçiç. Ai i bëri thirrje Serbisë të ndryshojë marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe t’i sigurojë Kroacisë një listë të të vrarëve. “Ata ende po flasin për spastrim etnik në Kroaci, gjenocid, mirë, shumë më tepër,” tha Milanoviç në një takim në Zagreb. Ai i bëri thirrje gjithashtu Beogradit zyrtar të ndryshojë politikat e jashtme në lidhje me marrëdhënien me Moskën. “Serbia duhet të thotë se ku është, ka kaluar një vit. Shkoj në Derventa në marrëveshje me Dodikun dhe dy javë më vonë dëgjoj gjëra të pabesueshme. Unë nuk shkova në Maltë për të nisur një kryengritje kroate, dhe nuk shkova, nuk do të kisha shkuar nëse nuk do të kisha bërë marrëveshje”, shtoi Milanoviç. “Na jepni ato listat e të vrarëve, i keni, ka kaluar shumë kohë, doni të hyni në BE, ne nuk mund t’ju ndihmojmë atje, duhet t’i jepni fund kësaj lloj marrëdhënieje me Rusinë në këtë moment”, tha ai. Milanoviç tha po ashtu se nuk pret asgjë nga vizita e paralajmëruar e kryeministrit Andrej Plenkoviç në Suboticë në fund të qershorit.”Që të ndryshojë diçka rrënjësisht në Beograd, është e nevojshme të ndryshohen themelet e politikës atje. Nuk mund t’i ikësh historisë se Kroacia moderne ka lindur nga spastrimi etnik”, tha presidenti kroat, duke ashpërsuar kështu sërish retorikën ndaj Serbisë.
Plagë të vjetra
Raportet mes Serbisë dhe Kroacisë kanë qenë më të mira gjatë viteve të fundit. Por në tërësi ato nuk janë normalizuar kurrë pas luftës së viteve ‘90. Ndërsa kohët e fundit janë paraqitur edhe shumë shkaqe të tjera për akuza dhe kundërakuza, gjë që ka rezultuar me nota të shumta protestash diplomatike mes këtyre vendeve. Në shkurt të këtij viti, Kroacia gjeti eshtra nga lufta e viteve 1990 pranë Vukovarit, që u rrethua për tre muaj gjatë luftës nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë, të cilët ekzekutuan disa qindra ushtarë dhe civilë kroatë pas rënies së qytetit në nëntor 1991. Rreth 3,000 njerëz vdiqën në betejën për Vukovarin në përgjithësi. Kroacia është ende në kërkim të 1,816 personave, trupat e të cilëve nuk janë gjetur që nga lufta.
Njohja e Kosovës
Beogradi nuk pajtohet me Zagbredin edhe për faktin se Kroacia e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.Ndonëse pak muaj më parë, presidenti kroat i ka befasuar të gjithë me deklaratën e tij se Kosova i është aneksuar Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar, vendi nuk ka vënë në dyshim njohjen e pavarësisë. Kryeministri Andrej Plenkoviç kritikoi ashpër presidentin e vendit asokohe për deklaratën që shokoi perëndimorët dhe që u bë lajm kryesor në mediat serbe dhe ruse. “Asnjë shtet nuk e ka aneksuar Kosovën. Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur nga Kroacia”, deklaroi Plenkoviç.