MENU
klinika

Vuçiç mes dy zjarreve

‘Politika me dy karrige’ e Serbisë pritet të marrë fund pas 9 majit

05.05.2023 - 12:21

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po gjendet në një situatë shumë të vështirë, pasi ndërkombëtarët në javët në vazhdim nuk do ta tolerojnë politikën e tij me dy karrige. Parlamenti Evropian, të martën e 9 majit, pritet të fillojë planin për të “zbutur” Vuçiçin me forcë. Në Parlamentin Evropian eurodeputetët pritet t’i bëjnë thirrje Serbisë që të harmonizohet me sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe të mirëpresë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE. “Me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si prioritet dhe parakusht për anëtarësimin e të dyja vendeve në BE, eurodeputetët do të nxisin Serbinë dhe Kosovën që të angazhohen në Dialogun Beograd-Prishtinë për të bërë përparim në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e Parlamentit Evropian. Në takimin e radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, miratuan deklaratën për Personat e Pagjetur dhe u njoftuan me draft-statutin e parë për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, e cila u prezantua nga Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit të këtij mekanizmi i udhëhequr nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiç. Pas takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se drafti i statutit i prezantuar të martën në Bruksel nga ekipi në fjalë është i papranueshëm, meqë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës pasi prezanton qartësisht një dëshirë për Republika Srpska në Kosovë. Kurti, bëri të ditur se Kosova është e interesuar të gjejë një zgjidhej për këtë çështje prandaj i njëjti bëri të ditur se ka prezantuar një draft vizion përkitazi me neni 7 të Marrëveshjes e dakordësuar fillimisht më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 prill në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Sanksionet e hekurta
Por pas 9 majit fillojnë ditët e nxehta për Sebinë. Siç e thamë më lartë, Parlamenti Evropian pritet të kërkojë që vazhdimi i bisedimeve të anëtarësimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian (BE) të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve nga Beogradi ndaj Rusisë. Kjo kërkesë është pjesë e një draft-raporti që u zbulua disa muaj më parë për strategjinë e zgjerimit të BE-së të përgatitur nga Tonino Piculla, deputet socialdemokrat nga Kroacia, i cili është raportues i PE-së për këtë strategji. Në propozime po ashtu thuhet se duhet “të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe të vazhdohen negociatat e anëtarësimit me Serbinë, vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”. Në këtë draft-raport po ashtu kërkohet që BE-ja të kushtëzojë fondet për Serbinë, përfshirë edhe ato të Planit për investime në Ballkanin Perëndim, në këmbim të harmonizimit të qëndrimeve të përgjithshme ndaj Rusisë si dhe të përparimit në fushën e sundimit të ligjit, vlerave dhe prioriteteve të bllokut evropian. Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, por deri më tani nuk u është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian ndaj Moskës. Edhe më herët, PE-ja ka kërkuar nga Serbia që t’i vendosë sanksione Moskës. Por, në këtë draft-raport për herë të parë përmendet kushtëzimi i bisedimeve për anëtarësim me vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Rusisë. Serbia, së bashku me Turqinë, janë shtetet e vetme që bëjnë pjesë në procesin e zgjerimit, që deri më tani nuk kanë mbështetur sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ditëve të fundit, në disa qarqe të BE-së është shprehur zhgënjim me sjelljen e Serbisë. PE-ja po ashtu përsërit se procesi i zgjerimit duhet të jetë një proces ku secili shtet vlerësohet në bazë të meritave individuale në të cilin mbetet në fuqi politika e kushtëzimit. Ky kushtëzim duhet të përqendrohet sidomos në respektimin e parimeve të demokracisë, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe lirinë e mediave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zbardhet plani “sekret” i SHBA

“Kosova ndahet, shqiptarët do bashkohen!”

Pacolli thirrje publike Metës dhe Ramës

“Mblidhni në një tryezë faktorin shqiptar”


"Çdo herë që nuk biem dakord për diçka…"

“Si janë raportet tuaja me Ramën?”/ Përgjigjet Albin Kurti

Portali i njohur i Brukselit i zbulon “sekretin”

Jeta luksoze e Vuçiçit është e paimagjinueshme për serbët

Përfundon marrëveshja e lëvizjes së lirë

Rikthehen kontrollet në Morinë

Brukseli, jashtë loje nëse Trump fiton zgjedhjet

Dialogu Kosovë-Serbi ndryshon pas 5 nëntorit