Në 2 maj 2023 Polonia ngriti përsëri çeshtjen e të drejtës së saj historike për të kërkuar reparacione lufte nga Rusia për pushtimin rus të kohës së luftës së dytë botërore. Në një intervistë me gazetën britanike “Financial Times” Marcin Przydascz, shefi i byrosë së politikës ndërkombëtare të presidentit polak, deklaroi se Polonia planifikon t’i kërkojë reparacione Rusisë.
– Publicitet –
Ky është vazhdim dhe përforcim i qendrimit zyrtar të shprehur nga vetë presidenti polak Andrzej Duda në 15 shtator 2022 se Polonia duhet të kërkojë reparacione lufte nga Rusia. Deklarata e presidentit polak erdhi pasi parlamenti polak adoptoi një rezolutë, në të cilën thekson se Polona nuk ka marrë akoma kompensimet e duhura financiare dhe shlyerjen për humbjet dhe shkatërrimet e pësuara të shtetit polak gjatë luftës së dytë botërore si rezultat i agresionit të Bashkimit Sovjetik.
Në tetor të vitit 2022 Ministria e Jashtëme e Polonisë deklaroi se dikasteri i saj po përgatit dokumentat dhe po llogarit shumën, që Moska i detyrohet Varshavës si reparacione të luftës së dytë botërore.
Me qëndrimin dhe kërkesën e drejtë të qeverisë së Polonisë për të kërkuar reparacione lufte nga Rusia është bashkuar edhe opozita polake. Grupi më i madh opozitar në parlamentin polak iu drejtua qeverisë me thirrjen që të kërkojë reparacione nga Rusia si shtet trashëgimtar i Bashkimit Sovjetik pushtues i Polonisë. Kryetari i grupit parlamentar të “Koalicionit Civil”, Borys Budka, deklaroi me këtë rast se “ata që shpërthyen luftën e dytë botërore, janë Gjermania fashiste dhe Bashkimi Sovjetik komunist”.
Kërkesa e Polonisë për të kërkuar reparacione lufte nga Rusia është një kërkesë e drejtë historike. Agresioni nazist gjerman kundër Polonisë në 1 shtator 1939 mbahet si fillimi i luftës së dytë botërore. Por kjo është gjysëm e vërtetë.E vërteta e plotë është që pjesa perëndimore e Polonisë u pushtua nga gjermanët në 1 shtator 1939, por dy javë më vonë në 17 shtator 1939 pjesa lindore e Polonisë u pushtua nga Bashkimi Sojetik.
Dy pushtimet e njëkohëshme nga Gjermania dhe nga Bashkimi Sovjetik ishin të rakorduara midis tyre për ndarjen e Polonisë dhe të Europës, dhe u bënë në bazë të Paktit famëkeq Ribbentrop-Molotov, ministrat e jashtëm të të dy shteteve pushtuese, të cilët në 23 gusht 1939 në Moskë nënshkruan marrëveshjen e fshehtë për zhdukjen e Polonisë dhe ndarjen e territoreve të saj midis tyre.
Pushtimi i njëkohshëm gjerman dhe rus për prishjen dhe ndarjen midis tyre të shtetit të pavarur europian të Polonisë shënon fillimin e luftës së dytë botërore. Pushtimi rus, njësoj si pushtimi gjerman solli vrasjet masive të popullsisë polake, shkatërrime dhe humbje të mëdha.
Bashkimi Sovjetik e pushtoi Poloninë Lindore pasi Britania e Madhe i shpalli luftë Gjermanisë në 3 shtator 1939, pikërisht për shkakun e agresionit kundër Polonisë. Bashkimi Sovjetik i Stalinit në vend që t’i shpallte luftë Gjermanisë, u bë aleat me Gjermaninë naziste dhe pushtoi Poloninë Lindore. Bashkimi Sovjetik hyri në luftë me Gjermaninë vetëm dy vjet më vonë, kur Hitleri urdhëroi sulmin mbi vetë Bashkimin Sovjetik. Atëhere Rusia u bë viktimë e agresionit të aleatit të saj gjerman dhe u bashkua me koalicionin e madh antifashist botëror.
Por hyrja e Bashkimit Sovjetik në koalicionin e madh antifashist botëror nuk e çliron atë nga përgjegjësia historike për agresionin, pushtimin dhe krimet masive kundër Polonisë. Në këndvështrimin e drejtë historik dhe juridik Polonia është shtet viktimë i dy agresioneve: të Gjermanisë dhe të Rusisë. Nga kjo lind edhe e drejta historike e Polonisë për reparacione nga të dy shtetet pushtuese.
Gjermania e konsideron të mbyllur çeshtjen reparacioneve me pagesat, që ka i bërë në përputhje me marrëveshjen e saj me qeverinë e Polonisë në vitin 1953, pavarësisht se Varshava pretendon tani që shuma duhet të jetë më e madhe dhe don të rihapë çeshtjen.
Në vitin 2004, kur Polonia u anëtarësua në BE, qeveria polake bëri deklaratën se për Poloninë marrëveshja e vitit 1953 për reparacionet është e vlefshme. Mirëpo Rusia si shtet pushtues nuk i ka paguar asnjë cent reparacione Polonisë. Ndaj çështja e reparacioneve midis Polonisë dhe Rusisë mbetet e hapur dhe e pazgjidhur. Me të drejtë Polonia po insiston qe Rusia të kryejë detyrimet dhe borxhet e saj e saj historike ndërkombëtar dhe t’i paguajë reparacionet e luftës shtetit dhe popullit polak.
Çeshtja e reparacioneve të luftës është një nga shtyllat qendrore të trashëgimisë politike, juridike, diplomatike dhe financiare të luftrave dhe konflikteve të armatosura. Shtetet agresore duhet të kenë të qartë se agresionet dhe pushtimet kanë kosto të rëndë për shtetet, që i ndërmarrin, dhe ata duhet të paguajnë reparacione për dëmet dhe shkatërrimet, që u shkaktojnë shteteve dhe popujve të tjerë.
Në zbatim të këtij parimi Asamblea e Përgjithëshme e OKB në 15 nëntor 2022 miratoi një rezolutë, ku i kërkon Rusisë që t’i paguajë reparacione Ukrainës për dëmet dhe humbjet e jetëve, që i ka shkaktuar popullit ukrainas me agresionin e saj ushtarak në vitin 2022.
Respektimi i të drejtës së reparacioneve ka rëndësi të madhe për diplomacinë preventive, sepse zbatimi i reparacioneve është një instrument paralajmërimi dhe parandalimi për agresorët dhe pushtuesit. Zbatimi i reparacioneve përbën një nga çelësat kryesorë për ripajtimin e vërtetë midis shteteve në luftë apo në konflikt.
Në çështjen e reparacioneve ka rëndësi themelore narrativa e drejtë historike për luftrat, sepse nga ajo buron qendrimi i çdo shteti për reparacionet. Rusia ndjek një narrativë të deformuar të bazuar në revizionizmin historik. Kremlini nuk pranon edhe sot e kësaj dite që Bashkimi Sovjetik ndërmori agresion dhe pushtoi territorin e Polonisë bashkë me Gjermaninë në vitin 1939.
Moska mbrohet me pretendimin absurd se ajo nuk i ka borxh Polonisë, sepse siç deklaron ambasadori rus në Varshavë se “është Polonia, që i ka borxhe Rusisë, sepse Rusia e çliroi nga nazizmi”. Është vërtet e papranueshme në planin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe diplomatike, që shteti agresor dhe pushtues hiqet si çlirimtar dhe shpall hipotekën e nënshtrimit të shteteteve dhe të popujve të tjerë me pretekstin e atij çlirimi.
Me këtë narrativë absurde historike të çlirimit nga nazizmi Moska vendosi dhe përligji sundimin rus në të gjitha vendet e Europës Lindore, ku hyri ushtria e kuqe dhe krijoi perandorinë komuniste sovjetike të Stalinit.
Përvoja negative e Rusisë, që duke u bazuar në një narrativë të shtrembëruar historike, refuzon t’i paguajë reparacione lufte Polonisë, përsëritet në Ballkan, ku Serbia, që ka ndërmarrë katër agresione ushtarake kundër popujve joserbë në ish-Jugosllavi, refuzon të paguajë reparacionet për agresionet e saj kriminale. Serbia agresore, gjatë luftrave kundër popujve joserbë shkaktoi 200 mijë vrarë në Bosnjë, 20 mijë të vrarë në Kroaci dhe rreth 20 mijë të vrarë në Kosovë.
Ne e kuptojmë se Europa nuk ka fuqinë ushtarake, diplomatike dhe juridike, të deyrojë Rusinë të paguajë reparacionet për shtetet viktima të agresioneve ruse. Por nuk mund ta kuptojmë kurrë pse Europa lejoi dhe nuk e detyroi Serbinë t’u paguante reparacione shteteve viktima të agresioneve serbe. Diplomacia europiane aplikoi narrativën e deformuar serbe se në Jugosllavi të gjithë luftuan kundër të gjithëve, narrativë e cila u përdor për justifikimin e agresioneve nga Beogradi.
Bosnja dhe Kroacia kanë kërkuar zyrtarisht qysh në fillim që Serbia të paguajë reparacione për agresionet e saj. E drejta e reparacioneve të luftës nga Serbia, i takon edhe Kosovës, gjë për të cilën kam këmbëngulur prej çerek shekulli. Kosova duhet ta kishte shtruar çeshtjen e reparacioneve qysh në bisedimet e para me Serbinë, që u hapën në Bruksel me ndërmjetësimin e BE në vitin 2011. Çështja e reparacioneve të Serbisë ndaj Kosovës duhet trajtuar si çeshtje e hapur e pazgjidhur midis dy shteteve, detyrë të cilën nuk duhet ta neglizhojë asnjë qeveri e Kosovës.
Sepse çështja e reparacioneve si e drejtë historike e një shteti dhe e një populli nuk mund të neglizhohet dhe të harrohet. E tillë është çështja e reparacioneve, që Shqipëria duhet të kërkojë nga Greqia. Është një çeshtje, që e ka precedentin e saj historik. Shqipëria mund dhe duhet të ngrejë sot çështjen e reparacioneve, që duhet të paguajë Greqia për shkatërrimet, krimet, dëmet dhe viktimat, që kanë shkaktuar forcat ushtarake greke në territorin e Shqipërisë, që nga Lufta e Parë Botërore e deri në Luftën e Dytë Botërore.
Unë e kam ngritur me forcë për herë të parë këtë çeshtje në librin tim “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”, 2018.
Reparacionet, që Greqia duhet t’i paguajë Shqipërisë, është një çështje e vjetër në dosjen e marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-greke, siç është e njohur edhe në arkivat dhe në qarqet e diplomacisë europiane dhe ndërkombëtare. Historia dhe diplomacia e kanë të rregjistruar se çështja e reparacioneve, që duhet t’i paguajë Greqia Shqipërisë, është ngritur nga qeveria shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris në vitet 1919-1920.
Në 12 shkurt të vitit 1919 delegacioni i Qeverisë së ligjëshme të Durrësit në Konferencën e Paqes në Paris paraqiti në sekretariatin e Konferencës qendrimin e Shqipërisë nëpërmjet një Memorandumi. Në hyrje të Memorandumit theksohet:
“Të lumtur që dhanë kontributin e tyre modest për kauzën e lirisë, shqiptarët vijnë sot t’i parashtrojnë plot besim Aeropagut të botës rivendikimet e tyre të drejta… Ne kërkojmë pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë dhe respektimin e të drejtave sovrane të popullit shqiptar. Ne kërkojmë po ashtu reparacione ekonomike për një numur të konsiderueshëm fshatrash të djegur nga grekët në pjesën jugore të vendit, si dhe për shkatërrimet që janë bërë nga ushtritë e perandorive qendrore gjatë pushtimit të vendit nga këto ushtri. Qeveria e Përkohshme Shqiptare, që është zgjedhur në 25 dhjetor të vitit të kaluar, është duke punuar për të hartuar listën e dëmeve dhe për të vlerësuar shumën. Kjo listë do t’i paraqitet për shqyrtim Kongresit (Konferencës) brenda një afati sa më të shkurtër”.
Ajo që duhet vlerësuar në këtë veprim të rrallë diplomatik të qeverisë së Shqipërisë të asaj kohe, është fakti që ajo nuk u çorientua nga rrethana që Greqia ishte pjesë e aleancës fituese të luftës së parë botëore, por u ngrit në një Konferencë Ndërkombëtare për të drejtën e reparacioneve ndaj shtetit pushtues, siç ishte Greqia për Shqipërinë.
Element tjetër për t’ vlerësuar për Qeverinë e Përkohëshme të Durrësit, është që, megjithëse ende nuk kishte vendosur sovranitetin e plotë mbi territorin e vendit, ku në Veri ende qendronin trupat pushtuese serbe, qeveria në planin diplomatik ndërmerrte hapa të drejta për realizimin e interesave të shtetit shqiptar. Përveç Qeverisë së Durrësit, kërkesë për reparacione në Konferencën e Paqes në Paris paraqiti edhe një delegacion tjetër shqiptar, i kryesuar nga Esat Toptani.
Veprimi dhe qëndrimi i drejtë i Qeverisë së ligjshme Shqiptare të Durrësit në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919 për reparacione nga Greqia, janë dhe udhërrëfyesi për të përcaktuar statusin e ushtrive greke, që u futën në territorin e Shqipërisë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Së pari, ushtria greke hyri në territorin e Shqipërisë pa leje, pa autorizim dhe pa kërkesë të qeverisë shqiptare, që formalisht ishte e ligjshme, pavarësisht se për shkak të pushtimit të vendit nga Italia ishte detyruar të ndodhej në mërgim. Për më tepër, ajo ishte qeveri me të cilën Athina kishte patur marrëdhënie diplomatike.
Së dyti, ushtritë greke hynë në një territor të Shqipërisë, i cili rivendikohej nga Athina si i ashtuquajtur “Vorio Epir”, kështu që nga pikëpamja e integritetit territorial dhe e sovranitetit të Shqipërisë roli i tyre ishte ai një ushtrie pushtuese.
Së treti, ushtritë greke që vepruan në territorin e Shqipërisë së Jugut kanë pjesën e tyre në dëmet, që iu shkaktuan popullsisë dhe ekonomisë së Shqipërisë bashkë me ushtritë pushtuese italiane. Këto faktorë e bëjnë normale dhe të ligjshme një kërkesë të Shqipërisë për reparacione nga Greqia, për dëmet e shkaktuara në Luftën e Dytë Botërore.
Së katërti, ushtria e Greqisë hyri në vitin 1940 në territorin e Shqipërisë, të cilën e kishte shpallur zyrtarisht dhe juridikisht “shtet armik”. Kështu që shkelja prej saj e territorit shqiptar ishte si ndërhyrje ushtarake në një “shtet armik”. Kjo do të thotë se përcaktimi nga Athina i Shqipërisë si “shtet armik” çon te konsiderimi i ushtrisë greke, që hyri dhe luftoi me ushtrinë italiane në territorin shqiptar, si veprime në një “shtet armik”, me gjithë pasojat dhe problematikat, që lindin dhe lidhen me këtë kuadër.
Greqia në mënyrën më absurde mban në fuqi ligjin antishqiptar të luftës me Shqipërinë i vitit 1940, edhe pse me Greqinë, Shqipëria ka nënshkruar Traktat Miqësie dhe Sigurie, edhe pse të dy shtetet janë anëtarë të NATO-s.
Është nje njollë e zezë për shtetin dhe diplomacinë shqiptare, që e harroi çeshtjen e reparacioneve nga Greqia, të ngritur në Konferencën e Paqes nga qeveria e e Shqipërisë me kryeministër diplomatin e madh Turhan Pashë Përmeti, dhe nuk e hapi asnjëherë më në tryezat e bisedimeve dypalëshe me Greqinë. Ndaj lind pyetja serioze: Po Shqipëria kur do të bëhet shtet dinjitoz, që respekton veten, historinë dhe të drejtat e tij historike, dhe të kërkojë reparacione nga Greqia? /Dita