MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Post zgjedhje ‘23/ Tirana, sa nevojë për një kryearkitekt!

15.05.2023 - 11:28

Kjo temë është marrë edhe pak vite më parë dhe qëllimi i shprehur nga autori ka qenë i përmbledhur në faktin se: kryeqytetit i nevojitet posti i Kryearkitektit.

Ky post duhej të ishte diçka më shumë se tagri i tij, të lidhej me nderin e një individi nga ku varen fatet e zhvillimit të qytetit. Tirana jonë e ka dhe do ta ketë dhe më shumë nevojën e mendjes dhe dorës së tij në të ardhmen e vet.

Kur shikon ndërtimet e pafre, shpërpjesëtimet, prishjen e Tiranës së Vjetër, debatin për betonizimin e qytetit, gjelbërimin e munguar, cilësinë e jetës së qytetarëve atëherë bindesh se nuk është thjesht një kërkesë, por një nevojë. Shumëkush mund të thotë se edhe Kryearkitekti mund të kapej lehtë nga politika, ashtu si mund të përdorej nga ata, aman, pesha e një posti të tillë dhe nderimi mund ta bënte, që ai të kishte në dorë respektimin e kanoneve të ndërtimit, por edhe përcaktimin e vlerave urbanistike dhe ndërtimore për qytetin tonë. Mbi të gjitha respektimin dhe aplikimin e çdo plani ndërtimi konform Kushtetutës ndërtimore të qytetit.

Në historinë e arkitekturës, ndërtimet dhe zhvillimet e qyteteve kanë jo thjesht fizionominë e kryearkitektëve të tyre, por edhe vizionin e tyre antropologjik dhe urbanistik, gjenerimin e debateve sesi do të shohim të ardhmen dhe si do e ndjejnë atë bashkëqytetarët. Janë pikërisht Kryearkitektët që i japin formën dhe mundësinë brezave me të cilët bashkëjetojnë dhe atyre pasardhës për t’u ndjerë mirë dhe krenuar për qytetin e tyre. Gjithsesi, pas vitit 1992, posti i Kryearkitektit të Tiranës është zëvendësuar me postin e “Drejtorit të Urbanistikës”, një post që shpeshherë e mbajnë njerëz, që paçka punës së tyre janë larg konceptit të kryeideatorit të formës së jetës së qytetit.

Jo rrallë, veç njerëzve që i lidh puna, pakkush i njeh në qytete këta punonjës të nderuar, që megjithatë janë në nivelin e burokratëve të zakonshëm. Pasojat e bjerrjes së funksioneve të tyre kanë qenë fatale: prishja e shumë objekteve të trashëgimisë, modifikimi i zonës historike, prekja e Parkut janë para syve të të gjithëve e shumë gjëra të tjera. Është i vërtetë edhe argumenti i sotëm, që moderohet nga Bashkia, sipas të cilit popullsia e Tiranës rritet për vit.

Popullsia e Tiranës është rritur mesatarisht me 16-17 mijë banorë të rinj në vit prej vitit 2001 deri në vitin 2015, paçka se në vitet 2017 dhe 2018 kjo rritje ishte më e dukshme. Në 2022, popullsia u rrit me 7321 banorë (INSTAT). Në tremujorin e parë të vitit 2022, Bashkia Tiranë miratoi 112 leje të reja ndërtimi me sipërfaqe prej 800,375 m2 , thuajse dyfish krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në të gjithë Shqipërinë gjatë tremujorit të parë të 2022 u dhanë 1.031.088 m2 leje ndërtimi, ku vetëm 800,375 m2 ishin në Tiranë. Nga këto leje ndërtimi në të gjithë vendin 866.216 m2 ishin për banim (Citizens Channel-C.Ch., 2022). Me planin e ri rregullues të vitit 2016 u pa se indikatorët që u përdorën për të ndërtuar planin në fakt “na tregojnë një vizion për Tiranën e vitit 2030 ku qyteti do të dyfishonte popullsinë e vet me 1.6 milionë”, referuar urbanistes Doriana Musai (C.Ch.).

Kuptohet se me këtë rast do bëhej edhe rritja e ndërtimeve. Qëllimi parësor i planit ishte të rriste dendësinë e ndërtimeve në pjesën e vjetër të qytetit, pjesa e qytetit brenda ish-vijës së verdhë. Në fakt, s’ndodhi rritja e dendësisë, referuar urbanistëve, por një mbingarkim i qytetit, pasi sipërfaqja e lejeve të ndërtimit nuk i korrespondon rritjes së numrit të popullsisë. Në 2011, asokohe, të dy kandidatët kryesorë për kryetar bashkie, Edi Rama dhe Lulzim Basha, ishin dakord se pjesa e vjetër e qytetit ishte e ndërtuar mjaftueshëm dhe se Tirana duhej zgjeruar përtej kufijve të saj, ish-vijës së verdhë. Por kjo nuk ndodhi, pasi sot ka ndërtime në sheshin Skënderbe si dhe në zonën e liqenit (Ibid).

“Një problem është që ka mbindërtim në Tiranë. Koncepti i planit të Tiranës ka për qëllim të dendësojë qytetin. Por koncepti i dendësisë me mbingarkimin janë të ndryshme dhe Tirana nuk është e densifikuar por është e mbindërtuar”, tha Doriana Musai, urbaniste (C.Ch., 2022).

Rikthehemi në argumentin tonë: Kjo e bën jo vetëm të madhe, por edhe një sfidë kryesore për ata që mund të ishin kryearkitektët e qytetit tonë: sesi ta shndërronin cilësinë arkitekturore dhe planifikimin urban në iniciativa politike që të ishin të zbatueshme me ndikim real. Por ndikimi dhe sidomos përdorimi i fuqisë së shtetit nëpërmjet partive është kaq i madh, saqë qytetet tona dhe veçanërisht Tirana po vuan një kaos, që kushdo që mund të vinte si kryebashkiak, së pari i duhet të menaxhojë pikërisht tollovinë e mbartur. Tirana (qytet) sot e ka një Plan të Përgjithshëm Vendor, të miratuar në përputhje me ligjin dhe funksional, shoqëruar me rregulloren e tij, por ai në shumë raste nuk përfshin realisht kërkesat e qytetarëve, ndërsa shpesh ndërtimet që bëhen janë krejt pa logjikën urbane apo aspak transparente.

Ndërtimet që bëhen ngado, syresh për shembull që nisin me prishjen e ndërtimeve të vjetra, ende pa marrë lejen; ndërfutjet në zonën historike (pas ndryshimit të statusit të saj!!); ndërtimet që po bëhen në Bllok; transformimin dhe prishjen shumë vilave që janë objekte kulture; të kujtojmë dikur edhe punimet e mbikalimit; e së fundmi ndoshta edhe ndërtimet që mund të nisin në hyrje të Parkut të Liqenit (?!) e sjellin si imediat ndalimin e një personaliteti, që ka tagër, i tillë si Kryearkitekti i qytetit. Kryearkitekti në të gjithë gjeografinë e problemeve të mëdha me të cilat përballet qyteti ynë, me atributet e njeriut jo të angazhuar politik, e me një përvojë të certifikuar nga puna e tij teknike mund të ishte personaliteti, që duhej t’i jepte zgjidhje shumë ankesave dhe të daraviste kurdo tollovinë. Mungesa e tij, në fakt, duhet thënë e staturës së tij, e bën publikun të jetë shumë i ngatërruar dhe shpesh pré e konfuzioneve të lloj-lloj kinseve, që i kanë kthyer qytetet shqiptare gati të pabanueshme. Ndërkohë që strukturat e ndryshme mund t’i parashihnin edhe oponencë teknike, që mund të vinte qoftë nga teknicienët e tjerë të bashkisë, por edhe studiove të arkitektëve dhe urbanistëve, Shoqatës së Ndërtuesve e Arkitektëve e kështu me radhë.

“Roli i Kryearkitektit shtrihet nga përcaktimi dhe kompozimi/kombinimi/projektimi i normativave përmasore (rrugë, sheshe, monumente, distanca etj.), e deri te IMAZHI i qytetit dhe zhvillimi i tij, shprehet arkitekti Skënder Luarasi. E kemi pasur dhe e kemi hequr”, e mbyll përgjigjen i biri i kryearkitektit të Tiranës 1988-1990. Kjo do t’i frenonte një pjesë të kryebashkiakëve tanë. Ku rasti i Durrësit është nga më të spikaturit për atë që është bërë pas demokracisë.

Në argumentin tonë, Tirana ka përvojë të jashtëzakonshme me një aradhe njerëzish të nderuar në postin e kryearkitektit. Dhe atë që filluan kryearkitektët Qemal Butka, Anton Lufi, Vasil Noçka për Tiranën në kohën e mes Luftërave të Mëdha Botërore, kurse pastaj, pas Luftës së Dytë Koço Miho dhe, me radhë Sokrat Mosko, Pavllo Luarasi, Faik Alimehmeti, qyteti me siguri do t’i kish plagët më të vogla, por edhe vetë kryebashkiakët andrallat më të pakta, pasi do t’i transferonin problematikat te këta persona dhe të merreshin me politikat reale të zhvillimit të qytetit.

Ndërkohë që kryearkitekti do kishte vendin e tij të merituar, që nënkupton se do përmblidhte elitën e vërtetë të qytetit, së bashku me vetë kryetarin e Bashkisë, kryedirigjentin apo drejtorin e filarmonisë, ekipin e futbollit ose basketbollit, ose çdo lloj sporti…etj., po përsëris argumentin personal të parashtruar edhe në vitin 2016. Ai do ishte realisht përfaqësuesi i traditës së qytetit dhe pjesa e gjallë e historisë së një komuniteti që jeton me ndërtimet, që i ka konceptuar vetë. Vërtetë, sa na duhet një kryearkitekt në këtë dalldi. (Homo Albanicus

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN