MENU
klinika

Analiza

A mund ta ketë organizuar vetë Kremlini atentatin e Putinit?

04.05.2023 - 19:47

Atentati i supozuar ndaj presidentit rus Vladimir Putin, ka “ndezur sërish gjakrat” mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe po ashtu ka vënë në dyshim çdo hipotezë lidhur me negociatat e mundshme midis Kievit dhe Moskës. Për momentin është e pamundur të thuhet me siguri se cila mund të jetë origjina e këtij sulmi dhe, duke analizuar hipotezat e ndryshme, skenarët duken krejtësisht të ndryshëm.

Versioni rus

Hipoteza e parë, ajo zyrtare e Federatës Ruse, është se bëhet fjalë për një veprim ukrainas, i cili, sipas asaj që u deklarua nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konsiston në një “akt terrorizmi”, një sulm për të vrarë presidentin rus ose të paktën për të trembur popullsinë e kryeqytetit ose vetë liderin. Por, duket e pamundur që dy dronë ukrainas të fluturonin lirisht mbi qendrën e Moskës. Kievi nuk ka mjete të aftë për të arritur atë distancë. Peskov foli menjëherë për “veprime hakmarrëse nga Rusia, kur gjykohet e përshtatshme”, ndërsa disa deputetë të parlamentit rus filluan të flasin për goditjen e rezidencës dhe qendrave komanduese të Volodymyr Zelensky si përgjigje ndaj sulmit.

Flamuri i rremë rus

Disa ekspertë besojnë se Putini po kërkonte një pretekst për të goditur drejtpërdrejt qeverinë dhe komandat e Ukrainës. Madje thuhet se qarkullon një video, ende e paverifikuar, ku dy burra që besohet se ishin agjentë rusë, po “menaxhonin” sulmin e supozuar. Në këtë linjë ishte edhe ish-ministri i Jashtëm rus, Andrei Kozyrev, i cili prej dhjetë vitesh ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili në Tëitter e krahasoi atentatin ndaj Putinit me zjarrin e Rajhstagut, sulmi i Adolf Hitlerit në Gjermani. Kjo mund të lidhet me reagimin e papritur të shumë zyrtarëve në Moskë, që bënë thirrje për një sulm të drejtpërdrejtë kundër Kievit.

Partizanët rusë

Për momentin, Kievi ka mohuar përgjegjësinë, por po shqyrton një skenar të luftës së brendshme guerile. Sipas kësaj hipoteze tjetër, nuk do të ishte një grup ukrainas që do të tentonte të godiste pallatin e pushtetit rus, por formacione brenda vetë Federatës. Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak specifikoi se “klani i Putinit” nuk e ka më nën kontroll plotësisht situatën. “Siç e dini, dronët mund të blihen në çdo dyqan ushtarak… humbja e pushtetit të kontrollit mbi vendin nga klani Putin është e dukshme. Por, nga ana tjetër, Rusia ka folur vazhdimisht për kontrollin e saj total të hapësirës ajrore. Me një fjalë, diçka po ndodh në Rusi, por patjetër nuk ishin dronët ukrainas në Kremlin”, thuhet në një nga postimet e tij. Të njëjtin mendim ndan edhe Anton Gerashchenko, këshilltar i Ministrisë së Brendshme, i cili shkruan: “Ka informacione se droni mbi Kremlin është nisur nga partizanët rusë nga rajoni i Moskës”.

Lufta e brendshme

Është evidente se në këtë fazë Kievi ka interes të promovojë mesazhin se ka një luftë të brendshme në Moskë, për të paktën dy arsye. Nga njëra anë, për të shmangur përgjegjësinë nga vetja për një sulm me të cilin Rusia sigurisht që mund të përgjigjej ashpër, duke u hakmarrë. Shtetet e Bashkuara kanë thënë tashmë se nuk ishin në dijeni për një veprim të tillë. Nga ana tjetër, arsyeja e dytë është zhvendosja e vëmendjes në frontin e brendshëm rus për të treguar brishtësinë e brendshme të armikut të Kremlinit. Në fund të fundit, nuk është mister që ka forca dhe grupe brenda Federatës të afta për të organizuar një sulm, por të afta për të “paralajmëruar” drejtuesit e lartë, autoritetet ushtarake apo edhe inteligjencën. Në këtë kuptim, për momentin as skenari i luftës së brendshme nuk mund të mohohet kurrsesi, ndonëse nuk do të kishte të bënte fare me një formë “rebelimi civil” kundër Putinit, por më tepër “çështje të brendshme”. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me hipoteza që lidhen me përplasjet mes oligarkëve dhe zyrtarëve dhe përplasjet mes mercenarëve dhe forcave të armatosura. Ajo që është e sigurt, duke pasur parasysh këto hipoteza dhe skenarë, është se tensioni midis Rusisë dhe Ukrainës mund të jetë i destinuar të rritet në mënyrë eksponenciale në orët e ardhshme, në një kohë kur në Perëndim kishte nisur të flitej për negociata.\

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN