MENU
klinika

Alibeja shpërthen ndaj “Trekëndëshit të Bermudës”

Rama sulmon Metën e Berishën, i akuzon se kërkojnë të marrin peng Shqipërinë

03.05.2023 - 13:26

Kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i komanduar i Partisë Demorkatike kanë vijuar dje takimet elektorale sa i takon zgjedhjeve lokale të 14 majit, ndërsa kanë hedhur akuza të forta në adresë të njëri-tjetrit. Kështu, kryeministri Rama ka prezantuar ditën e djeshme kandidatët e PS-së për bashkitë e qarkut të Korçës në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Gjatë takimeve të tij me banorët në bashki të ndryshme të qarkut, Rama u bëri thirrje që të mos votojnë për t’u kthyer prapa por të votojnë për vijimin e projekteve të nisura. Sipas tij, një votë pro kandidatëve të koalicionit Meta-Berisha është e turpshme për Shqipërinë, duke theksuar se SHBA-të e kanë shpallur Berishën si një person të padëshirueshëm me të cilin nuk bashkëpunojnë. Ai nisi takimet nga Kolonja, ku kërkoi votën për një tjetër mandat të Erion Isait dhe bëri me dije se brenda sezonit të verës rruga që e lidh këtë bashki me Korçën, do të jetë e përfunduar dhe do t’i afrojë këto dy bashki në 20 minuta krahasuar me intervalin kohor prej 1 ore që ishte më parë. Gjatë takimit me qytetarët në Devoll u bëri thirrje këtyre të fundit që nëse duan që të ketë zhvillim ekonomik për zonën ku jetojnë, duhet të votojnë për kandidatin e PS-së, Eduart Duron dhe jo të votojnë për kandidatët e koalicionit Meta-Berisha, pasi sipas tij, këta të fundit duan t’i përdorin bashkitë si “kështjellë lufte” kundër qeverisë dhe duan të marrin peng Shqipërinë. Më tej, Rama u ndal në një takim me të rinjtë në Korçë ku theksoi se trendi i kthimeve nga emigracioni është në rritje. Ndërsa në mbyllje të takimit me qytetarët e Korçës nën shoqërinë e kandidatit Sotiraq Filos, kryesocialisti u shpreh se në vijim Korça do të kthehet në qendër të zhvillimit ekonomik dhe atraksioneve turistike me projektet të cilat janë në zhvillim e sipër.

Reagon Berisha
Por akuzave të Ramës, iu është përgjigjur “flakë për flakë” ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit teksa prezantoi dje kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Shkodër, denoncoi nga abuzimet e qeverisë së Edi Ramës. Ai akuzoi Ramën se vjedh nga mëngjesi deri në darkë shqiptarët. Madje kryefoltoristi theksoi se në çdo ligj të botës Edi Rama kryeson një organizatë kriminale. Ndërkohë Berisha i kujtoi Benet Becit gabimin fatal që ai bëri, duke kandiduar për Edi Ramën. Berisha theksoi se Beci po sillet si tek përralla e ujkut, me këmbë të lyer me miell. Po ashtu, Berisha ftoi kandidatin e Edi Ramës, Benet Becin që të dalë në debat me Spahinë. Ai theksoi se për dy vite në Parlament, Benet Beci nuk përfaqësoi interesat e Shkodrës dhe shkodranëve. Sipas tij, Benet Beci në 14 maj nuk do të marrë as votat e fisit të tij.

Alibeaj shton akuzat ndaj Ramës-Metës dhe Berishës
Nga ana tjetër, nga Vau i Dejës, ku prezantoi kandidaten për kryetare bashkie, Klomentina Drinin, kryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka sulmuar klasën politike në vend, konkretisht Berishën, Metën dhe Ramën. Alibeaj u shpreh se për 33 vite këto fosile politike janë ulur këmbëkryq dhe kanë marrë peng fatet e shqiptarëve. “Japin e marrin me njëri tjetrin në një aleancë okulte. Njëri që ka rikthyer dhe një herë simptomat e dikurshme të sistemit dikatorial, mungesë shprese, mungesë lirie. Goditje ndaj biznesit. Neveri ndaj të rinjve. Dëbimi ndaj tyre. Mungesa e ligjit. Mungesa e shtetit të së drejtës. Refuzimi, izolimi. E nga ana tjetër një pjesë tjetër. Atë që deri dje ne i konsideronim lider historik, është Sali Berisha, i cili nuk bëri asgjë tjetër, është varka e shpëtimit e këtij sistemi. Ka bërë atë që e ka çuar një pjesë të demokratëve, i ka marrë dhe i ka çuar në sqetullën e Ilir Metajt. Një pazarxhiu politik. E pra miq, vëllezër, motra, prindër. Ky është sistemi sot. Kjo është panorama dhe fotografia bezhë. Kaq e zymtë që Shqipëria sot vuan. Kjo është arsyeja se përse njerëzit ikin, kjo është arsyeja sepse shqiptarët sot jane më të pezmatuar se kurrë”, deklaroi Alibeaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shtëpia e pazarxhinjve, kjo ‘trini’ e shenjtë”

Alibeaj: PD është vënë në sulm nga Rama, Berisha e Meta