MENU
klinika

Zgjedhjet presidenciale në Turqi

Rivali i Erdogan premton liri dhe demokraci

07.05.2023 - 12:05

Në vetëm 10 ditë kandidati për president, Kemal Kilicdaroglu do të përballet me presidentin aktual turk në zgjedhjet presidenciale. Udhëheqësi kryesor i opozitës turke ka premtuar të rivendosë demokracinë pas vitesh të asaj që disa e quajnë autoritarizëm të udhëheqjes aktuale.

72-vjeçari është kërcënimi më i madh i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, teksa vendi shkon drejt kutive të votimit më 14 maj. Sondazhet tregojnë se zgjedhjet do të jenë të vëshitra, për Erdogan, pasi deri më tani ‘i preferuar’ për qytetarët ka rezultuar Kilicdaroglu.

Fushata e Kılıçdaroglu, e mbështetur nga gjashtë parti opozitare, është fokusuar shumë në promovimin e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Megjithatë, planet nuk mbarojnë me kaq për kreun e ‘Tabelës së Gjashtës’. Kılıçdaroglu i ka bërë thirrje Erdoganit të tërhiqet.

“Të jesh në politikë në Turqi do të thotë të zgjedhësh një jetë me rreziqe. Unë do të eci në rrugën time çfarëdo që të bëjë Erdogan dhe aleatët e tij. Ata nuk mund të më largojnë. Ata nuk mund të më trembin. Unë i bëra një premtim këtij kombi”, tha ai.

Kılıçdaroglu është zotuar në mënyrë kontroverse të kthejë 3.5 milionë refugjatët sirianë që jetojnë brenda vendit. Vitin e kaluar, Turqia prezantoi ligje që synojnë të frenojnë informacionet mashtruese në mediat sociale. Kritikët thanë se projektligji ishte një përpjekje për të censuruar zërat e opozitës dhe për të kufizuar median e pavarur.

Udhëheqësi laik i opozitës gjithashtu ka shprehur hapur dëshirën e tij për t’u lidhur me Perëndimin në vend të Rusisë, në një përpjekje për të riorientuar kombin. Erdogan ka refuzuar të pranojë sfidën e Kiliçdaroglu deri më tani, duke e hedhur poshtë atë mbi moshën e tij, shkruajnë mediat e huaja.

Mbështetësit e presidentit turk, përfshirë ministrin e Brendshëm, Suleyman Soylu, e konsiderojnë kandidaturën e Kiliçdaroglu një dredhi perëndimore. Ata pritet të kundërshtojnë rezultatet nëse Erdogan dështon të rizgjedhet.