“Brenda vitit të ardhshëm mbyllim ndërtimin e banesave dhe pallateve të dëmtuara nga tërmeti dhe të gjitha familjet do të rikthehen në shtëpitë e tyre”.
Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit në takimin me banorë të Shkozetit.
Krybashkiakja Sako duke folur para banorëve tha se: “Shkozeti është një histori suksesi përsa i përket programit të rindërtimit, sepse këtu kemi rindërtuar shumë shtëpi nga e para, kemi rindërtuar pallate që u shembën apo riforcuar ato që kanë qenë me shkallë dëmtimi DS4, ndërkohë që punimet vazhdojnë duke pasur si objektiv që brenda vitit 2024 të përfundojë i gjithë procesi.
Përveç rindërtimit apo riforcimit të objekteve të banimit, në zonën e Shkozetit po punohet për ndërtimin nga e para të shkollës së mesme “Olsi Lasko”, konviktit të shkollës së mesme profesionale “Beqir Çela” dhe shkollës 9-vjeçare “Isuf Ferra”.
Kryebashkiakja Sako tha se këto shkolla po ndërtohen sipas standardeve ndërkombëtare ku nxënësit dhe mësuesit do të punojnë në kushte bashkëkohore. Investimet e tjera madhore që po kryhen me mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit Rama, si Porti i Marinës, Porti i ri tregtar në Porto Romano, Stadiumi i ri dhe Akademia Sportive e skuadrës Manchester City, po hedhin themelet për transformimin e Durrësit, tha gjithashtu kryetarja e bashkisë Emiriana Sako.
Kryebashkiakja Sako, duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në mitingun e zhvilluar në Shkozet, iu bëri thirrje atyre që në 14 maj të dalin masivisht në votime, për të votuar numrin 2, kandidatin e PS dhe këshilltarët e kësaj force politike, në mënyrë që të vazhdojnë projektet për transformimin e mëtejshëm të Durrësit.