MENU
klinika

“The Economist”

Shkëmbim falas, pse ekonomia nuk e kupton biznesin

06.05.2023 - 11:50

Është mesi i viteve 1990 dhe po mblidhet Fakulteti i Ekonomisë në një universitet të rëndësishëm. Pedagogët po qëndrojnë si mbi gjemba.

Shumë janë të mërzitur që degët e biznesit, si marketingu dhe sjellja organizative, gëzojnë një pozitë më të lartë, pavarësisht se janë dukshëm më pak të vështira, shkruan The Economist.

Në sytë e tyre, është e qartë se ekonomia duhet të ndjellë më shumë respekt si fushë. Një profesor nuk mund të mos e shfaqë mërinë. Kushdo që ka një doktoraturë të mirë në ekonomi, thotë ai, mund të japë lehtësisht mësim në ndonjë nga departamentet e tjera të universitetit.

Është joshëse ta shohësh këtë si një shembull tipik të arrogancës së ekonomistëve. Dhe pjesërisht, ai është i tillë. Imperializmi i kësaj disipline (pra, prirja e saj për të pretenduar si të vetën fushat e ngjashme me ekonominë), është një pengesë për studiuesit e shkencave sociale.

Megjithatë profesori kishte të drejtë në një pikë. Në vitet 1990, ekonomia mund të pretendonte se po lëvizte drejt një shkence të unifikuar të biznesit.

Po krijohej perspektiva e një teorie realiste të firmës. Për fat të keq, tri dekada më vonë, kjo nuk është arritur aspak. Ekonomia ka modele të pasura të konkurrencës dhe tregjeve. Por fuqitë e saj ende priren që të lëkunden, sapo ato hyjnë në portën e një fabrike apo zyre.

Ia vlen të pyesësh pse. Ekonomia ka të bëjë (ose të paktën në teori) me shpërndarjen e burimeve të pakta.

Në teorinë neoklasike, tregjet zënë vendin qendror. Faktorët e prodhimit (toka, puna dhe kapitali) dhe oferta dhe kërkesa e mallrave dhe shërbimeve, lëvizin në përgjigje të sinjaleve të çmimeve nga shkëmbimet tregtare. Burimet shkojnë drejt përdorimit më fitimprurës.

Kjo është teoria. Por ajo ka një mangësi të dukshme, siç theksoi ekonomisti Ronald Coase, në një punim të vitit 1937. Pjesa më e madhe e shpërndarjes së burimeve në ekonomi nuk ndodh në tregje, por brenda firmave.

Motorët kryesorë lëvizës janë punonjësit. Ata nuk drejtohen nga sinjalet e çmimeve, por nga një dekret administrativ. Teoria se firmat janë maksimizuese të fitimit është një tjetër përplasje me realitetin.

Ato veprojnë në një mjegull injorance dhe gabimi, vuri në dukje Herbert Simon, një pionier i Inteligjencës Artificiale dhe shkencave të vendimmarrjes.

Asnjë biznes nuk mund të përpunojë të gjithë informacionin e nevojshëm, për të nxjerrë fitimin maksimal. Në vend të kësaj, firmat operojnë në kushte të “racionalitetit të kufizuar”, duke marrë vendime që janë të kënaqshme dhe jo optimale.

Për vite me radhë, ekonomia nuk përparoi shumë përgjatë vijave të përcaktuara nga Coase dhe Simon.

Deri në vitin 1972, Coase u ankua se punimi i tij mbi natyrën e firmës ishte “shumë i cituar dhe pak i përdorur”. Megjithatë, menjëherë sapo Coase u ankua për këtë mungesë, filloi të shfaqej një grup kërkimesh rigoroze mbi firmën. Ky proces vazhdoi të lulëzojë në dy dekadat në vijim.

Një shtyllë kryesore e këtij hulumtimi është ideja e firmës si koordinatore e prodhimit të ekipit, ku kontributi i secilit anëtar të ekipit nuk mund të ndahet nga të tjerët. Prodhimi që jep ekipi, kërkon një hierarki për të deleguar detyrat, për të monitoruar përpjekjet dhe për të shpërblyer njerëzit në përputhje me rrethanat.

Kjo, nga ana tjetër, kërkon një lloj tjetër rregullimi. Në transaksionet e tregut, mallrat këmbehen me para, kjo marrëveshje është bërë tashmë dhe ka pak hapësirë për debat.

Por për shkak të racionalitetit të kufizuar, në biznes nuk është e mundur të përcaktohet paraprakisht gjithçka që kërkohet nga secila palë, në çdo rrethanë të mundshme.

Kontratat e një firme me punonjësit e saj janë detyrimisht “të paplota”. Ato mbështeten nga besimi dhe, në fund të fundit, nga kërcënimi i prishjes, i cili është i kushtueshëm për të gjitha palët.

Aty ku ka delegim të detyrave, ka një problem motivimi, pra si të nxitet një punonjës që të veprojë në emër të kompanisë, të jetë një lojtar ekipi, në vend që t’i shërbejë interesave personale. Ky njihet në ekonomi si problemi i agjentit kryesor, burimi i shumë teorive të mençura në këtë periudhë.

Sigurisht që stimujt kanë rëndësi, por shpesh qasja më e mirë është që organizatat të paguajnë një pagë fikse dhe të mos lidhin shpërblime me asnjë detyrë të caktuar. Për shembull, nëse pagat e mësuesve lidhen me rezultatet e provimeve, ata do t’i mësojnë nxënësit vetëm për të dalë mirë nëpër provime, në vend që t’i frymëzojnë ata për të menduar në mënyrë të pavarur.

Oliver Williamson, Oliver Hart dhe Bengt Holmstrom fituan çmime “Nobel” në ekonomi për kërkime në fusha të tilla. (Coase e fitoi çmimin në vitin 1991; Simon në 1978.) Puna e tyre shpjegon pjesërisht se pse, nga mesi i viteve 1990, profesori i ekonomisë ishte kaq i sigurt se ekonomia duhej të sundonte studimin e biznesit.

Librat më të shitur të ekonomistit Michael Porter, nxitën edhe më shumë një optimizëm të tillë, po ashtu edhe entuziazmi për potencialin e teorisë së lojës në strategjinë e një korporate.

Megjithatë, sot, kur një kompani punëson një kryeekonomist, është kryesisht për të marrë mendim në lidhje me rritjen e PBB-së ose politikën e Rezervës Federale.

Ekonomistët nuk punësohen për të dhënë këshilla mbi strategjinë e vetë korporatës.

Kompanitë e përjashtuara

Ka arsye për këtë. Një është prestigji akademik. Ekonomistët dëshirojnë që fusha e ekonomisë të konsiderohet një disiplinë themelore, si fizika, dhe jo praktike, si inxhinieria.

Por shumica e asaj që kërkohet për të ndërtuar një biznes të suksesshëm, nuk mund të përmblidhet në një teori të ngushtë me disa ekuacione.

Shpesh ka të bëjë me faktin se sa mirë përhapen idetë, informacioni dhe vendimmarrja në të gjithë firmën.

Dhe pagesa nuk është motivimi i vetëm. Bizneset e forta formohen nga vlerat dhe idetë e përbashkëta mbi mënyrën e duhur për t’i bërë gjërat, pra nga kultura e korporatës. Njerëzit krenohen me punën dhe profesionin e tyre. Këto nuk janë lëndë të natyrshme për ekonomistët.

Ekonomia gjithashtu nuk është e kënaqur me specifikën e problemeve të fushës së biznesit. Zgjidhja e tyre është më shumë se një çështje e thjeshtë e krijimit të stimujve të duhur ekonomikë. Kërkon njohuri të hollësishme të teknologjisë, proceseve dhe konkurrentëve, si dhe psikologjisë sociale dhe prirjeve politike.

Ekonomia nuk është asnjëherë e mjaftueshme. Shumë nga ndikimet në çdo çështje aktuale të biznesit, për shembull se cila firmë teknologjike do të fitojë garën e Inteligjencës Artificiale, qëndrojnë jashtë fushëveprimit të ekonomisë.

Ka ide ekonomike që njerëzit e biznesit i shpërfillin në rastet e ndërmarrjes së rrezikut. Nëse strategjia e një firme mund të kopjohet lirisht, ajo duhet të presë që edhe fitimet e saj të tejkalohen nga të tjerë. Një biznes i shëndoshë ka nevojë për një përparësi.

Por përtej parimeve të tilla, ekonomia ka pak përdorim praktik për të thënë se çfarë e bën një kompani të suksesshme.

Studimi i biznesit mbetet një fushë e veçantë jashtë perandorisë ekonomike. Tani duket e pamundur që do arrijë ndonjëherë të pushtojë plotësisht terrenin./MONITOR