Kategorisë Superiore po i vjen fundi, por vazhdon të jetë gjithçka e hapur sa u përket shanseve që kanë skuadrat për të arritur objektivat e tyre në këtë pikë të sezonit.
Gjithçka duket e hapur në teori në garën për titullin kampion, atë për vendin e katërt, që të çon në Europë, por edhe për luftën për mbijetesën. Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë të statistikave, e shohin luftën për titull thuajse të mbyllur. “Euroclubindex”, një faqe e njohur për përpilimin e statistikave dhe parashikimet që bëjnë duke marrë për bazë forcën e rezultatet e klubeve, teksa simulojnë ndeshjet e mbetura, mendon se gara për Kategorinë Superiore sheh Tiranën shumë pranë trofeut. Duke marrë për bazë rezultatet e këtij sezoni dhe forcën e rivalëve që kanë përballë në ndeshjet e mbetura, sipas ekspertëve ndërkombëtarë të statistikave, Tirana aktualisht ka 86,6% shanse që të shpallet kampione në përfundim të 36 javëve, teksa Partizani ka vetëm 13,4% mundësi për të bërë të tijin titullin.
NDRYSHIMI NË VITIN 2023 – Gara për titullin ka marrë një kthesë në favor të Tiranës në muajin janar, sipas të njëjtit vlerësim. Rezultatet e të kuqve, por edhe merkatoja, duket se kanë ndikuar në ndryshimin e tendencës së tyre për të parashikuar kampionatin në bazë të përqindjeve të mundësive për të arritur te titulli. Nëse deri në javën e dytë të janarit ishte Partizani që kishte shanset më të mëdha për të fituar titullin, gjithçka ka kaluar në krahun e bardhebluve në pjesën e mbetur të sezonit, duke i bërë të kuqtë ndjekës. Edhe pse dy skuadrat u barazuan me pikë në fund të javës së 27-të të kampionatit, përsëri ekipi bardheblu mbetej si favorit edhe atëherë nga ekspertët e “Euroclubindex”, të cilët i jepnin 53,1% mundësi Tiranës, kundrejt 44,2% Partizanit, edhe pse ky i fundit asokohe kishte në favorin e vet edhe ndeshjet direkte.
TË TJERËT – E vetmja skuadër, e cila sipas përllogaritjeve të ekspertëve u bë faktor në luftën për titull, ishte Vllaznia. Ajo kulmin e saj e kishte në muajin shkurt, kur shanset e saj për të fituar trofeun ishin 22,1%, më shumë edhe se Partizani, i cili kishte 17,6% mundësi në atë periudhë. Por më pas nisi rënia e ndjeshme e kuqebluve, të cilët u dorëzuan në garën për titull dhe u përqendruan vetëm në atë për të siguruar një vend në Europë.