Barazim me shije fitoreje. Kështu e sheh Tirana rezultatin 1-1 me të cilin u mbyll derbi sot në “Ait Albania”. Një rezultat i cili i mundëson skuadrën bardheblu që të mbetet në vendin e parë me dy pikë avantazh ndaj të kuqve të cilët lanë t’u ikte nga duart një rezultat i rëndësishëm.
Pjesa e parë ishte e barabartë, me pak raste për shënim, por me Bekajn i cili në fund të fraksionit të lojës bëri një pritje të dyfishtë për të shmangur golin. Por ai nuk mund të bënte asgjë në startin e pjesës së dytë kur Da Silva tundi rrjetën e portës së tij,.
Goli zgjoi bardheblutë të cilët kaluan në ofensivë dhe tentuan në çdo mënyrë të gjenin barazinë në shifra, me Partizanin që i lëshoi terren. Por goli do të vinte me një gjuajtje të pakapshme të Deliut nga distanca, duke bërë që në stadium të shpërthente festa e tifozëve.
Më pas, të dy skuadrat rrezikuan pak herë për të shënuar, edhe pse Partizani kërkoi me ngulm një gol fitoreje, por nuk ia doli të gjente rrjetën që do i jepte kreun, duke lënë në atë pozitë Tiranën që ishte e vetmja e cila festoi në fushë me këtë barazim të sotëm.