MENU
klinika

Çfarë pritet?

Tragjedia e Gërdecit, sot seanca në GJKKO ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu

24.05.2023 - 10:12

Pas disa seancave të shtyra gjyqësore, sot në orën 12.00, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të zhvillohet e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e akuzon atë për “shpërdorim detyre” dhe “për shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadër komandues ushtarak” lidhur me dosjen e shpërthimit në Gërdec. Ndërkohë që nga ana tjetër, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Mediu ka kërkuar gjykim të shkurtuar, por SPAK ende nuk e ka shpallur pretencën për të akuzuarin.

Nga ana tjetër vokatët e ish-ministrit Fatmir Mediu kanë kërkuar që çështja të pushohet për efekt parashikimi, kjo pasi sipas tyre klienti i tyre nuk ka asnjë faj për mosveprimin shtetëror ndër vite.

“Ai ka të drejtë të jetë i barabartë para ligjit. Kanë kaluar 12 vjet nga fakti penal ndaj zoti Mediu nuk mund të merret i pandehur. Çështja është parashkruar. Pas gati 2 vjetësh hetime të reja të SPAK-ut, që prodhuan zero rezultat, çështja është e pamundur për të vijuar më tej për shkak të parashkrimit,”- mësohet të ketë thënë avokati Ardian Visha.

Dy prokurorët që do të japin pretencën sot janë; Altin Dumani dhe Arben Kraja, njëri kreu i SPAK, tjetri paraardhësi i tij.

Çfarë ka ndodhur në Gërdec?

Më 15 mars të vitit 2008 Tirana u lëkund nga një shpërthim i fuqishëm i ndodhur vetëm pak kilometra larg, në fshatin e quajtur Gërdec. Një magazinë e kthyer në “fabrikë” për demontimin e armëve shpërtheu duke u marrë jetën të paktën 26 personave. Shumë të tjerë u gjymtuan, shtëpitë u shkatërruan dhe shpërthimi krijoi një krater të madh. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë ndërkohë që Fatmir Mediu, në atë kohë ministër i Mbrojtjes i shpëtoi gjykimit pasi kishte mandatin e deputetit. Ylli Pinari, drejtor i MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës Albademi, ishte treshja e të pandehurve kryesorë për Tragjedinë e Gërdecit.