Kriza e tregut të banesave në vendet e pasura nuk ka përfunduar. Tregjet mund të ndahen në tre kampe: parandaluesit e hershëm, shmangësit e plumbave dhe të vonuarit, shkruan The Economist
Ndonjëherë, gjatë bumit të gjatë që pasoi krizën financiare globale të viteve 2007-‘09, dukej sikur çmimet e banesave nuk do të ndalnin kurrë rritjen.
Shitjet u rritën, pasi normat tejet të ulëta të interesit dhe mungesa e ofertës, nxitën konkurrencën për pronat.
Sot, gjërat janë shumë ndryshe. Në vendet e pasura, nga Amerika në Zelandën e Re, shitjet kanë rënë, pasi bankat qendrore kanë nisur shtrëngimin më të mprehtë të politikës monetare në katër dekada.
Në shumë tregje, edhe çmimet, tani po shkojnë në drejtimin e gabuar, të paktën nga këndvështrimi i pronarëve të shtëpive.
Megjithatë, duke qenë se bankat qendrore duket se e kanë arritur kulmin e rritjes së normave të interesit, shumë njerëz në industrinë e pronave, kanë filluar të pyesin nëse më e keqja ka kaluar tashmë.
Në mars, si Rezerva Federale, ashtu edhe Banka e Anglisë, rritën normat e interesit me vetëm një çerek pikë përqindje. Tregjet presin më së shumti vetëm një rritje tjetër nga të dyja. Ekonomia botërore deri tani është treguar e qëndrueshme ndaj stresit të politikave më të shtrënguara monetare, edhe pse një pjesë e vogël e bankave tregtare kanë falimentuar.
Kjo u ka dhënë investitorëve dhe pronarëve të shtëpive shpresë se çmimet së shpejti mund të bien në nivele të ulëta. Ndoshta kriza e parashikuar e strehimit do të jetë më pak e tmerrshme sesa pritej.
A ka vend për optimizëm
Një optimizëm i tillë ndoshta do të dalë i gabuar. Ashtu si rritja e normave të interesit e përcolli me vonesë efektin e saj mbi sektorin e pronave, edhe lehtësimi i gjendjes mund të vijë me vonesë në këtë rast.
Rezervat financiare që kanë zbutur goditjen kanë filluar të pakësohen. Edhe pse hipotekat me normë fikse, të cilat i mbrojnë klientët nga rritja e kostove, janë më të zakonshme jashtë Amerikës sesa dikur, shumica janë fikse vetëm për periudha të shkurtra. Në Britani, për shembull, gati gjysma e stokut me normë fikse, është fiksuar për jo më shumë se dy vjet.
Në të vërtetë, më shumë se dy të pestat e zotëruesve të hipotekave, do të kalojnë në kushte të reja këtë vit. Ndërkohë, grumbujt e kursimeve të tepërta të krijuara gjatë pandemisë, nuk ofrojnë më aq mbrojtje, pasi janë shpenzuar që atëherë.
Sondazhet tregojnë se familjet me të ardhura më të ulëta në Eurozonë, i kanë shteruar kryesisht rezervat e tyre.
Kur vlerësohet se sa shumë duhet të bien çmimet, vendet e pasura mund të ndahen në tri kategori. Të parët janë ata që përshtaten herët, ku përfshihet Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Suedia. Në këto vende, bankat qendrore reaguan shpejt ndaj inflacionit.
Gjithashtu u vu re një rritje e çmimeve të banesave gjatë pandemisë, pasi blerësit morën kredi të lira, duke marrë hipoteka kryesisht me kushte me norma të ndryshueshme. Sipas OECD-së, çmimet kanë rënë me 14% në Suedi dhe në Zelandën e Re, që nga kulmi i tyre.
Në Australi, kanë rënë me 9%. Banka e saj qendrore nuk i rriti normat deri në maj, por familjet kishin tashmë shumë borxhe gjatë kësaj periudhe, të cilat mesatarisht arrinin në më shumë se 200% të të ardhurave neto të disponueshme në vitin 2021, duke i bërë ato më të cenuara ndaj normave më të larta të interesit.
Banka Goldman Sachs parashikon një rënie të çmimeve nga kulmi i tyre, me 19% në Zelandën e Re, 17% në Suedi dhe 15% në Australi, duke treguar se do të ketë pak më shumë dhimbje ekonomike në këto vende.
Në kategorinë e dytë hyjnë vendet që shmangin plumbat. Anëtari më i shquar i këtij grupi është Amerika, ku pronarët e shtëpive janë të izoluar nga shtrëngimi i hipotekave me normë fikse që shpesh zgjasi për dy ose tri dekada.
Pas krizës subprime që filloi në vitin 2007, rregullatorët i shtynë huamarrësit drejt kredive të tilla, të cilat, së bashku me rregulla më të rrepta të huadhënies, kanë më pak gjasa të çojnë në falimentime masive dhe kështu të dëmtojnë sistemin financiar.
Sipas Bankës Goldman Sachs, Amerika tashmë e ka përjetuar gjysmën e rënies së parashikuar nga maja në pikën më të ulët, në vetëm 5%.
Ndërkohë, Franca, ku çmimet mbetën të qëndrueshme në vitin 2022, parashikohet të përjetojë rënie edhe më të vogël prej vetëm 4%. Vendi përfiton nga borxhi i ulët i familjeve, i cili arrinte mesatarisht në 124% të të ardhurave neto të disponueshme në vitin 2021.
Të fundit janë vendet që tregohen më të ngadalta, të cilat ende nuk janë goditur fort, por nuk ka gjasa t’i shpëtojnë një korrigjimi. Edhe pse çmimet në Britani tashmë kanë rënë me 5%, gjendja mund të përkeqësohet edhe më tepër.
Firma e konsulencës Capital Economics, parashikon një rënie prej 12% nga maja në pikën më të ulët. Ndërtuesit e shtëpive në vend i kanë rënë alarmit. Shumë kanë ndaluar ndërtimin e shtëpive të reja; disa po ofrojnë para të thata për të tërhequr blerësit.
Firma ndërtimore Persimmon, e dyta më e madhe në Britani, ka ofruar madje që të paguajë hipoteka deri në dhjetë muaj, në një përpjekje për të mbështetur kërkesën.
Federata Gjermane e Pronave, një grup lobimi, parashikon se vetëm 245,000 apartamente do të përfundojnë në Gjermani këtë vit, shumë larg objektivit të qeverisë prej 400,000.
Strehim i përballueshëm?!
Duke qenë se rënia e çmimeve është nxitur nga normat më të larta të interesit, ato nuk kanë gjasa ta bëjnë strehimin më të përballueshëm. Ata që duan të ngjiten në shkallët e sektorit të pronave, përballen me pagesa mujore të kripura.
Në Kanada, një vend që i përket kategorisë së “parandaluesve të hershëm”, një blerës mesatar i një shtëpie me dy kulme, tani duhet të shpenzojë gati 70% të të ardhurave familjare para tatimit, për pagesat e hipotekës, taksat e pronës dhe faturat e shërbimeve, sipas Bankës Mbretërore të Kanadasë, nga 46% në fillim të vitit 2020.
Rënia e çmimeve do t’i bëjë gjithmonë e më të pakënaqur pronarët e shtëpive. Këtë herë, edhe blerësit e mundshëm nuk kanë shumë arsye për t’u kënaqur./Monitor