Sot në Bruksel do të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi në nivel të kryenegociatorëve.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të takojë kryenegociatorin e Kosovës për dialogun, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin nga pala serbe.
Lajçak është shprehur të premten se takimi i së hënës është mundësi e mirë për t’u pajtuar për hapat e ardhshëm. “Takimi i kryenegociatorëve të hënën e ardhshme është një mundësi e mirë për t’u pajtuar për hapat e ardhshëm dhe konkretë.”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar më 12 maj takim me kryeministrin Albin Kurtin, kryenegociatorin Besnik Bislimi, kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzën dhe me përfaqësues të Listës Serbe.
Lajçak ka deklaruar se ka zhvilluar diskutim të rëndësishëm me kryeministrin Kurti për rrugën përpara në procesin drejt normalizimit. Ndërsa, Kurti është shprehur se në takimin me Lajçakun ka theksuar nevojën që marrëveshja bazë të zbatohet tërësisht.
Kujtojmë që në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.