MENU
klinika

Transportonte emigrantë të paligjshëm

Vihet në pranga 56-vjeçari në Korçë

05.05.2023 - 11:46

Një 56-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi u kap duke transportuar 15 emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës.

Personi G. A., 56 vjeç, banues në Durrës u arrestua në aksin rrugor “Bilisht-Korçë” gjatë operacionit policor të koduar “Midnight 9”.

Gjatë kontrollit në automjetin tip furgon, u gjetën 15 emigrantë të paligjshëm, të cilët do transportoheshin në kufirin me Kosovën, me qëllim që të kalonin ilegalisht në këtë shtet dhe më pas drejt vendeve të BE-së.

Njoftimi i DVP Korçë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 9”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit. U kap duke transportuar kundrejt pagesës, me një automjet (furgon), 15 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 56-vjeçari. Sekuestrohen furgoni, një aparat celular dhe një shumë parash. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 9”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi: -G. A., 56 vjeç, banues në Durrës. Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që do të transportonte kundrejt pagesës, shtetas të huaj, me qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Bilisht-Korçë”, pranë fshatit Cangonj, Devoll, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar. Gjatë kontrollit në automjetin tip furgon, u gjetën 15 emigrantë të paligjshëm.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se 56-vjeçari do t’i transportonte emigrantët e paligjshëm, kundrejt pagesës, në kufirin me Kosovën, me qëllim që të kalonin ilegalisht në këtë shtet dhe më pas drejt vendeve të BE-së. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe një shumë parash. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në të. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.