Tashmë u bë refren i të gjithë kandidatëve humbës që të sjellin manipulimin e votës dhe blerjen e saj si shkak të humbjes.
Për ta faktuar nuk paraqesin asgjë, përveç bombave tymuese dhe teorive me fantazma që blekan e ndërruakan votën për llogari të Ramës.
Në një botë normale humbja katastrofike ku koalicioni Berisha&Meta merr vetëm 250 mijë vota, është argumenti më kokëfortë që faji duhet kërkuar te vetja. Dhe kjo do kërkonte një analizë të thellë dhe koka në sini argjendi. Mirëpo askush nuk do ta bëjë këtë. Berisha dhe Meta e dinë që ky është rezultati i vërtetë dhe nëse ka përgjegjës, janë ata. Këtë e dinë edhe kandidatët që humbën në disa zona historike me PD-në, por nuk flasin pasi që në fillim e dinin se mundësitë për fitore në një koalicion me dy udhëheqës të konsumuar ishin tepër të vogla.
Fushata e ngritur për vjedhjen e votave iu intereson të gjithëve. I intereson kandidatëve humbës pasi faji shpërndahet. I intereson Berishës dhe Metës pasi është e vetmja alibi që përdorin për të justifikuar vegjetimin në drejtim të opozitës. I intereson Ramës, pasi i lë gjithmonë përballë dy kundërshtarë që tashmë ia ka marrë dorën. Natyrisht që kjo nuk i prish punë në arenën ndërkombëtare pasi ata lexojnë raportet e ODIHR-it dhe të ambasadave të tyre dhe jo përçartjet e Berishës dhe Metës të cilët për ata janë të vdekur politikisht. Dhe i intereson medias që do shtyjë nja një muaj me varavingo kandidatësh nëpër studio televizive që akuzojnë sesi iu vodhën mandatet, megjithëse disa prej tyre mezi iu mësuan emrin.
I gjithë lumi i akuzave për vjedhje zgjedhjesh, ka pak të vërteta brenda, aq pak saqë nuk ndryshon rezultatin. Mirëpo nëse Bibla thotë që “E vërteta të bën të lirë”, askush këtu nuk e do të vërtetën. Janë rehat me gjumin që do t’i zërë sapo të mbarojë edhe kjo përralla e zgjedhjeve të vjedhura.