MENU
klinika

Policia vijon grumbullimin e pamjeve filmike

Vrasja e Ardian Nikulajt, ngecin hetimet

03.05.2023 - 10:56

Për ekzekutimi i Ardian Nikulajt, mesditën e 19 prillit në Shëngjin, vijojnë ende hetimet në mënyrë intensive.

Ngutja e Policisë së Shtetit për ta dërguar ngjarjen e rëndë në pistën e gjakmarrjes, bëri që pala e akuzuar të vihej në presionin e fortë të policisë, prokurorisë dhe të opinionit publik, ndërkohë që policia në fakt nuk kishte mundur të siguronte ende asnjë provë përveç një dëshmie që ende nuk dihet se në çfarë rrethanash është siguruar. Sipas të dhënave më të fundit, vetë grupi hetimor ka ngecur tek ngjashmëria e motorit, mjetit që u pa të lëvizte autori i ekzekutimit, me motorin që policia pretendon që ka gjetur në fundin e arëve të familjes Haxhia.

Sipas të dhënave mjetet janë shumë të ndryshme, megjithatë do të jenë ekspertët që do të shqyrtojnë provat, si në vendin tonë ashtu edhe në Britani, atje ku do të zhvillohet edhe beteja më e madhe ligjore e drejtësisë sonë për të mundësuar sjelljen para gjykatës sonë të personave të vënë në pranga. Nga të dhënat policore bëhet me dije se në fakt dy ditëve të fundit policia dhe prokuroria janë marrë sërish vetëm me shqyrtimin e pamjeve të shumta filmike që kanë mbledhur për të lidhur bashkë personat e shpallur në kërkim, por e vetmja lidhje e deritanishme është se dyshohet të jenë shoqëruar nga Rinasi nga Edmond Haxhia.

Në fakt, në pamjet e servirura nga ana e policisë, të shkëputura nga kamerat e sigurisë së ambientit të të ndjerit, policia nuk ka asnjë imazh të autorit të vrasjes, pos pamjeve të 4 britanikëve të cilët duket se janë edhe të miqësuar jo vetëm me ambientin por edhe me të pranishmit në lokal. Ata shihen teksa edhe drekojnë me Nikulajn, por që nuk përcaktohet dita dhe momenti, ndërkohë që portugezi, i akuzuar si ekzekutor nuk ka dalë në asnjë lidhje vizive me ndonjërin nga 4 britanikët, tre prej të cilëve janë në qeli në Londër në pritje të gjyqeve për çështjen e ekstradimeve.

EDMOND HAXHIA
Policia dhe Prokuroria vijojnë t`i qëndrojnë versionit të parë të nxjerrë nga Muhamet Rrumbullaku se organizatori i gjithçkaje në atë ngjarje të rëndë që tronditi vendin është, Edmond Haxhia. Ata e lidhën emrin e Haxhiajt si i afërm i fisit Lekstakaj që për policinë është në gjakmarrje me familjen Nikulaj, dhe sipas policisë ai përdori një grup të huajsh në realizimin e atentatit.

Haxhia u shoqërua mëngjesin e të shtunës në Angli bashkë me 3 britanikët e konsideruar bashkëpunëtorë, ndërsa Ruben Saravia, vijon ende në kërkim dhe mendohet të jetë në Greqi, ndërsa britaniku që del edhe ne pamje filmike si personi që komunikon vazhdimisht me dikë nuk është lokalizuar ende, edhe pse ai mbërriti në Londër natën e ngjarjes. Policia dhe grupi hetimor vijojnë të pretendojnë se të kamufluar si turistë, britanikët nuk kishin ngjallur as dyshimin më të vogël se ndodheshin në vendin tonë për të bërë vrasje, ndaj dyshohet se lehtësisht kanë arritur deri aty sa kanë qëndruar edhe në hotelin Coral në pronësi të Ardian Nikualjt.

Burime thonë se 4 britanikët, Stephen Hunt, Tomas Mithan, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman, kishin paguar vetëm fjetjen në hotel, dhe nga kontakti i drejtpërdrejtë që kishin krijuar me Nikulajn, në shumë raste ai edhe qënfronte me ta. Britanikët ishin miqësuar aq shumë me familjen Nikulaj, saqë kanë luajtur edhe me fëmijët e 51- vjeçarit brenda ambienteve të hotelit, konfirmuar kjo edhe pas këqyrjes së dhjetëra orëve pamje filmike të kamerave të sigurisë.

Dy ditë më parë doli një video e xhiruar në ambientet e një lokali ku shfaqet për herë të parë imazhi real i portugezit në kërkim Ruben Saravia. Filmimi amator mendohet se është xhiruar në ditët e fundit përpara vrasjes tragjike nga njerëz të rastësishëm, grup shoqëror që vetë 28-vjeçari i ka njohur gjatë qëndrimit të tij gati 3 mujor brenda territorit të vendit tonë. Në materialin filmik 7 sekondash, personat që janë në tavolinë e mësojnë Saraivën të shajë Kryeministrin Edi Rama në gjuhën shqipe, dhe i konsideruari vrasësi gjakftohtë bën të njëjtën gjë.

Procedura e ekstradimeve Njëri nga britanikët e ndaluar për cështjen e vrasjes ka dëshmua në Gjykatë duke mohuar lidhjet me ngjarjen e rëndë. Ai ka mohuar të kishte dijeni por ka thënë se ka qenë për turizëm në Shqipëri dhe që nuk ka lidhje me asnjë akuzë që është hedhur në drejtim të tij dhe të vajzës me të cilën ka qenë. Për Edmond Haxhinë dhe 4 britanikët prokuroria e Lezhës pretendon se ka nisur procedura e ekstradimit, por drejtësia angleze nga ana tjetër do të kërkojë prova bindëse dhe garanci për t’i sjellë drejt vendit tonë.

Motori i gjetur pasditen e 27 prillit në afërsi të lumit Drin, pranë fshatit Kakarriq të Lezhës, po verifikohet dhe ekzaminohet imtësisht. Ka dyshime se nuk është i njëjti me atë të përdorur nga autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikuaj, mesditën e 19- prillit në Shëngjin. Hetuesit po kalojnë në sitë karakteristikat e mjetit të blerë në Tiranë i cili mendohet të jetë përdorur për të kryer krimin, me atë të gjetur në afërsi të lumit 300 metra larg shtëpisë së Edmond Haxhisë, i cili është vënë nën akuzë për vrasjen e biznesmenit, në rolin e organizatorit, porositësit dhe financuesit të atentatit. Motori “Skuter” u gjet nga policia 8 ditë pas ngjarjes në brigjet e lumit Drin dhe mendohet të jetë hedhur nga autori i dyshuar portugez pas atentatit ndaj biznesmenit Ardian Nikulaj.

Në lidhje me këtë ngjarje janë vënë nën akuzë 6 persona një shqiptar në rolin e organizatorit, 1 portugez si autor i vrasjes dhe 4 shtetas britanik si bashkëpunëtor në rolet e informatorëve mbi lëvizjet e biznesmenit Ardian Nikulaj. Katër prej tyre janë vënë në prangat e policisë në Britaninë e Madhe dhe kanë nisur procedurat për ekstradimin e tyre, ndërsa vijojnë të jenë ende në arrati autori portugez i dyshuar për vrasjen dhe 1 prej shtetasve Britanik që ka bashkëpunuar për të kryer krimin e rëndë.

VIDEO/ “Zgjidhi nyjen e rrezikshme që lidhte dy anët e Drinit”

Rama: Ura e Madhe e Veriut, shëmbëlltyrë e ambicies sonë…

Çfarë ndodhi gjatë natës në një banesë

Të shtëna me armë zjarri në Krujë, policia jep detaje!

Bilanci tragjik nga masakra në Shkodër thellohet në 4 viktima

Ndërron jetë në spital Bashkim Basha