MENU
klinika

Shifra të larta në strukturat akomoduese

1 mijë fluturime “charter” deri në fund të vitit, dyfishohen shifrat

21.06.2023 - 09:34

Shqipëria duket se po kalon ditët më të mira për sa i përket sektorit të turizmit, i cili edhe për muajin prill ka regjistruar shifra të larta në strukturat akomoduese. Zgjedhja e vendit tonë si një opsion për të kaluar pushimet verore ka dyfishuar netëqëndrimet duke u rritur me 81% krahasuar me një vit më parë. Mbi të gjitha, vizitat me fjetje nga të huajt thuajse janë dyfishuar, duke regjistruar një rritje me 95% krahasuar me Prillin e kaluar.

Ky trend rritës sipas aktorëve të turizmit do të vazhdojë i fortë edhe në muajt në vijim, teksa shumë fluturime charter priten të sjellin një numër të lartë turistësh.

“Numri total deri në fund të vitit mund të vazhdoj nga 35-40% rritje. Dhe vitin tjetër mund të vazhdoj po I njëjti trend rritës duke pasur parasysh kontratat që kemi realizuar me partnerët tanë ndërkombëtar. Nga turizmi i organizuar kemi rreth 1 mijë fluturime “charter” që do vijnë deri në fund të vitit”, thotë Rahman Kasa, ekspert i turizmit.

Teksa shqiptarët e Kosovës mbeten grupi kryesor i vizitorëve dhe përbëjnë 1/5 e klientëve të hoteleve, këtë vit gjeografia e turistëve po zgjerohet.

“Për nga gjithë tregjet e Europës pothuajse ka turistë në Shqipëri. Për sa i përket turizmit të organizuar ne kemi fluturime “charter” përveç Polonisë që është tregu më tradicional dhe Republikës Çeke. Kemi fluturime të tilla nga Spanja për herë të parë, Portugalia, kemi nga Hungaria, vendet Baltike, të cilat janë tregje të reja për sa i përket këtyre fluturimeve. Gjithashtu vazhdojnë bashkëpunimet dhe nga vendet partnere si Gjermania, Zvicra, vendet nordike”, thotë Kasa

Sipas INSTAT, interesi më i madh vihet re gjatë pjesës së parë të vitit kryesisht për zonat jobregdetare të vendit, pra kryeqytetin dhe destinacionet malore apo qytetet historike si Berati dhe Gjirokastra. Kjo vëmendje zhvendoset në verë në vijën bregdetare, për t’u kthyer sërish në vjeshtë në të njëjtat zona.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Marsi qartëson pritshmëritë

Turizmi, në vorbullën e pandemisë

“Kemi ardhur për t’u argëtuar, jo për t’u mbyllur në dhomë”

Unioni Turistik Shqiptar: Të lehtësohen masat anti-Covid!