Policia e Kosovës ka demantuar pretendimet se ka rrahur dy persona gjatë një ndalimi në rrugën Izvor-Banjska, përkatësisht në komunën e Zveçanit, në veri të Kosovës.
“Deklarimet e ndryshme se kinse policia i ka rrahur dy prej këtyre personave nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta”, u tha në reagim, duke shtuar se gjatë këtij ndalimi nuk ka pasur sjellje joprofesionale policore.
Reagimi i Policisë së Kosovës vjen pasi Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – akuzoi policinë e Kosovës se ka keqtrajtuar dy minoren, të identifikuar me iniciale K.R dhe D.R, që tha se ishin vëlla e motër.
“Ata u rrahën brutalisht sonte në fshatin Zhitkovac, në komunën e Zveçanit, teksa po ngisnin një motor”, pretendoi Lista Serbe, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, se po “bën gjithçka për të dëbuar popullin serb”, dhe se komuniteti ndërkombëtar “nuk po bën asgjë për të mbajtur përgjegjës Kurtin”.
Policia tha se ngjarja ka ndodhur pasditen e 17 qershorit, kur një njësi patrulluese ka hasur në pesë persona të cilët po qarkullonin në rrugën Izvor Banjska me dy motër katërrotësh.
Sipas policisë, dy persona nuk kanë respektuar sinjalizimin e tyre për t’u ndalur dhe kanë ikur në një rrugë malore, por më pas policia ka hasur në ta.
“Kurse në një distancë prej rreth 350 metra, zyrtarët tjerë policorë kanë hasur personin e tretë, i cili kishte ikur në këmbë. Në atë lokacion është paraqitur edhe një femër, e cila ka deklaruar se është nëna e dy personave të ndaluar nga policia. Pas kontrollimit të personave dhe të mjetit [motorit], si dhe pas realizimit të procedurave policore, të tre personat janë liruar”, shpjegoi policia.
Lidhur me këtë ngjarje, mediat lokale në veri thanë se mjeku Boban Mitroviq në spitalin në këtë komunë, ka deklaruar se “sonte [e shtunë, 17 qershor] dy pacientë me inicialet D.R [2005] dhe K.R [2007] kanë ardhur në departamentin e kirurgjisë. Sipas tyre, ata kanë marrë lëndime nga Policia e Kosovës”.
Ky zhvillim vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë të rritura. Serbët në këtë zonë po protestojnë që nga 26 maji, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
Një ditë pas këtij arrestimi, tre policë të Kosovës u arrestuan në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Beogradi thotë se policët u arrestuan “thellë” në territorin serb, por Kosova thotë se ata u rrëmbyen brenda territorit të saj.
Ndaj tre policëve të Kosovës, një gjykatë në Kralevë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë që të lirojë menjëherë policët e Kosovës, që sipas Uashingtonit, po mbahen në paraburgim nën akuza të pabaza. /REL