MENU
klinika

E paqartë nëse dokumentin e ka hartuar qeveria shqiptare apo...

Analiza e VOA: Rama propozon draft për asociacionin e komunave me shumicë serbe

08.06.2023 - 19:25

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi sot se i ka dorëzuar presidentit frncez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një draft për krijimin e asociacionit të komunave serbe, i hartuar siç tha, nga ekspertë të nivelit më të lartë europian dhe amerikan.

Kryeministri Rama deklaroi se bëhet fjalë për një dokument konfidencial, i cili merr në merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane”, deklaroi kryeministri Rama, duke bërë të ditur se dokumenti është hartuar “nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe europian prej kohësh”, pa shpjeguar se kur ka ndodhur, por duke theksuar se: “është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kjo ditë kur palët dhe në këtë rast, për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë që e përsëris, bën atë që ka bërë dhe herë të tjera, palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më të merret vesh se çfarë duhet të ketë teksti”.

Mbetet po ashtu e paqartë nëse ka qenë qeveria shqiptare e cila ka kërkuar hartimin e këtij dokumenti, apo ai i është ofruar asaj. Zoti Rama tha se ekspertët kanë dhënë një kontribut dhe se ai thjesht ka bërë që ky kontribut të kthehet në një mundësi për dialog duke theksuar se nuk ka dalë vullnetar për të bërë asnjë marrëveshje, “unë thjesht kam marrë përsipër të kontribuoj për tryezën e dialogut nëpërmjet kumbarëve të procesit, që janë presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë. I takon atyre të bëjnë atë që dëshirojnë me këtë kontribut sepse tani ishte gati për tu bërë dhe tani janë kushtet për tu bërë, duke parë që në vend se të ulen në tryezë njëri çon policinë në godina bosh, tjetri çon ushtrinë për të kënduar këngë në kufij me Kosovën”.

Javën e shkuar kryeministri Rama pati një takim të veçantë me presidenti francez Macron, gjatë Konferencës së sigurisë në Bratislavë, ku zoti Macron foli me tone të ashpra ndaj autoriteteve të Kosovës duke i konsideruar ato përgjegjëse për situatën e krijuar në veri.

Një situatë që sipas kryeministri Rama “po merr përmasat e një tragjedie politike për Republikën e Kosovës” e cila shtoi ai, “si kurrë më pare, po fajësohet botërisht nga të gjithë aleatët strategjikë të kombit shqiptar”, të cilët i cilësoi si “zotët e shtëpisë në Kosovë”.

Ndërsa e cilësoi dokumentin e ofruar prej tij si konfidencial e për të cilin nuk është konsultuar me kryeministrin Albin Kurti, zoti Rama u mjaftua të shpjegojë se “unë mendoj që një asociacion që është brenda kornizës kushtetuese të Kosovës , që është në sinkron me të gjithë pritshmëritë e komunitetit demokratik, që i jep vetë administrim, vetë menaxhim, quheni si te doni, atyre që e përbëjnë, pa e venë në pikëpyetje asnjëherë autoritetin e insitucioneve të Republikës së Kosovës; që i jep mundësi t’i bëjnë ato që duhet të bëjnë për arsimin dhe për shëndetësinë dhe që patjetër gjen miratimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është gjëja që i duhet sot Kosovës”, nënvizoi ai./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN