Tre efektivë të Policisë së Kosovës janë rrëmbyer dhe arrestuar sot nga njësia e policisë ushtarake e Forcave të Armatosura serbe “Kobra”. Lajmi fillimisht u dha në mediumin “Novosti”.
Informacionin për arrestimin e tre policëve e kanë konfirmuar autoritetet e Republikës së Kosovës ku njoftojnë se tre policët janë rrëmbyer dhe më pas janë nisur për në Beograd. Sipas policisë, rrëmbimi i tyre ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Kosovës si dhe makina është gjetur brenda territorit kosovar.
Njoftimi i policisë:
Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.
Me të arritur në atë lokacion, njësit e asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serb.
Tutje policia thotë se me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës.
Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës