Në mes të përpjekjeve të Presidentit Vladimir Putin për të rifituar pushtetin e tij, gjeneralët më të shquar rusë janë zhdukur nga sytë e opinionit publik pas një rebelimi të dështuar mercenar që synonte rrëzimin e kreut të shtetit, siç shkruan agjencia britanike e lajmeve “Reuters”.Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, gjenerali Valeriy Gerasimov nuk është shfaqur në publik ose në televizionin shtetëror që nga përfundimi i kryengritjes së Wagner të shtunën. Udhëheqësi mercenar Yevgeny Prigozhin fillimisht kërkoi dorëzimin e Gerasimov. Që nga 9 qershori, Gerasimov nuk është përmendur në njoftimet për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes. Ai është komandanti më i lartë i forcave ruse në Ukrainë dhe zotëron një nga tre “valixhet bërthamore” të Rusisë, sipas disa analistëve ushtarakë perëndimorë.Nuk është dukur as gjenerali Sergei Surovikin, të cilin mediat ruse e quajtën “Gjeneral Armageddon” për shkak të taktikave të tij agresive në Siri.
Zhdukja e Surovikin
Ai është zëvendëskomandant i forcave ruse në Ukrainë. “New York Times” raportoi të martën, bazuar në një konferencë të inteligjencës amerikane, se Surovikin e dinte se rebelimi i Wagner ishte gati të ndodhte, kështu që autoritetet po hetonin nëse ai ishte bashkëpunëtor. Zyrtarët amerikanë i thanë “Reuters” se Surovikin mbështeti Prigozhin, por shërbimet e inteligjencës perëndimore nuk e dinin me siguri nëse ai po ndërhynte në rebelimin e Wagner. Gazeta në gjuhën ruse “Moscow Times” dhe një bloger ushtarak raportuan arrestimin e Surovikin, ndërsa disa gazetarë të tjerë ushtarakë thanë se ai dhe oficerë të tjerë po merreshin në pyetje nga shërbimi i sigurisë FSB për të testuar besnikërinë e tyre.Surovikin, zëvendësi i Gerasimov, u pa për herë të fundit të shtunën kur ai u shfaq në një video duke i kërkuar Prigozhin t’i jepte fund rebelimit të tij.
Spastrimi i gjeneralëve
Prigozhin, i cili ka kritikuar Gerasimov dhe Shoigu për muaj të tërë për paaftësinë e tyre të pretenduar në luftën kundër Ukrainës, ka lavdëruar shpesh Surovikin. Madje, aikonsiderohet një gjeneral efektiv dhe jo pak herë është përmendur nga gazetarët rusë të luftës si një ministër i mundshëm i mbrojtjes në të ardhmen. Megjithatë, kanali me ndikim Telegram Rybar, i drejtuar nga një ish-oficer shtypi i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, njoftoi se në Rusi kishte nisur spastrimi. Rybar thotë se autoritetet po përpiqen të eliminojnë personelin ushtarak që mendohet se ka treguar “mungesë vendosmërie” në shuarjen e kryengritjes së Wagner dhe Prigozhin. “Rebelimi i armatosur i kompanisë private ushtarake Wagner u bë pretekst për një spastrim masiv në radhët e forcave të armatosura ruse”, shkruan Rybar. Një veprim i tillë, nëse konfirmohet, mund të ndryshojë mënyrën si Rusia e zhvillon luftën në Ukrainë dhe të shkaktojë trazira në radhët ruse ndërsa Ukraina përgatit një kundërofensivë.
Fituesit dhe humbësit
Disa analistë ushtarakë dhe politikë rusë dhe perëndimorë besojnë se ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, një aleat i vjetër i Putinit, të cilin Prigozhin donte ta largonte, tani mund të përfitojë nga situata. Michael Kofman, një ekspert ushtarak për Rusinë tha: “Në vend të kësaj, rebelimi i tij mund të ketë siguruar vazhdimësinë e qëndrimit të Shoigut, pavarësisht se njihet botërisht si i paaftë dhe i urryer”. Gjenerali Viktor Zolotov, kreu i Gardës Kombëtare dhe dikur truproja i Putinit, duket të jetë një tjetër fitues. Ai tha publikisht se njerëzit e tij ishin gati të vdisnin për të mbrojtur Moskën nga Wagner. Ai foli për mundësinë e marrjes së armëve të rënda dhe tankeve për forcat e tij pas rebelimit.Gerasimov mungonte të martën kur Putin falënderoi ushtrinë për parandalimin e një lufte civile, ndryshe nga Shoigu, i cili ka dale disa herë në publik që atëherë. Sakaq, Lawrence Freedman, profesor emeritus i studimeve të luftës në King’s College në Londër, tha se largimi i Surovikin, nëse është i vërtetë, mund të destabilizojë përpjekjet luftarake të Rusisë më shumë se kryengritja e së shtunës, “veçanërisht nëse bashkëpunëtorët e tjerë të Prigozhin/Surovikin fillojnë të spastrohen”.