MENU
klinika

"Respekt për Ramën, por nuk është i autorizuar"

Draft-statuti i kryeministrit për asociacionin, reagon Vuçiç

13.06.2023 - 11:06

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar lidhur me draft-statutin e kryeministrit Edi Rama për asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sipas mediave serbe, Vuçiç është shprehur se e respekton kryeministrin Rama, por sipas tij, ai nuk është i autorizuar të hartojë statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai shtoi se Rama nuk është anëtar i Ekipit Menaxhues Serb dhe kësisoj nuk mund të bëjë draft-statut për asociacionin.

“Me sa di unë, Edi Rama nuk është anëtar i Ekipit Menaxhues Serb. As kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili duket se dëshiron të bëhet pjesë e atij ekipi, pasi edhe ai ka diçka të shkruar, por nuk ka të drejtë ta ketë të shkruar”, ka thënë Vuçiç për TV Happy.

“Nuk kemi çfarë të negociojmë këtu. Na jepni vetëm parimet dhe organet e Asociacionit siç janë negociuar dhe siç e kam inicializuar në vitin 2015 me (në atë kohë kryeministrin e Kosovës) Isa Mustafa. Nuk kërkojmë asgjë më shumë. A e dini se kur do të jetë? Asnjëherë, sigurisht jo derisa Kurti është në pushtet”, shtoi ai më tej.