Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel do të vizitojnë javën e ardhshme Kosovën.
Vizita e Rutte dhe Bettel do të realizohet të hënën (3 korrik) dhe të martën (4 korrik).
Vizita e dy kryeministrave evropianë sipas gazetës holandeze, Haarlems Dagblad lidhet me tensionet e fundit në veri të Kosovës.
Përveç Kosovës, kryeministrat evropianë do të vizitojnë edhe Serbinë.
Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.
Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore./KosovaPress