70 punonjëse të një fasonerie kanë protestuar mëngjesin e sotëm në Fier, pasi prej dy muajsh nuk kanë marrë rrogën, e po kështu në rrethana të paqarta janë pushuar nga puna. Punonjëset e fasonerisë në Fier, “Ozgun Kan Albania” kanë protestuar për largimin e tyre nga puna, ndërsa i kanë mashtruar me premtimin se do të riktheheshin.
Ato kanë apeluar për zgjidhje të shpejtë të kësaj situate. Një nga punonjëset ka thënë për mediat se nuk kanë patur asnjë kontakt me administratorët e fasonerisë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme.
“Pavarësisht përpjekjeve tona të vazhdueshme për të kontaktuar administratorët e fasonerisë, asnjë kontakt nuk kemi patur me ta“.
“Shqetësimin tonë na kanë thënë ta zgjidhim në gjykatë”, janë shprehur punonjëset e pushuara nga puna, ndërsa theksojnë se nuk kanë mundësi financiare pasi jetojmë në kushte mbijetese.