Taksa mbi pasurinë është një ndër zërat më të rëndësishëm të të ardhurave në buxhetet e bashkive në vend, por administrimi i saj nuk është në nivelet e duhura. Kjo për faktin se përpos disa bashkive të mëdha që e vjelin normalisht këtë taksë, pjesa më e madhe e njësive nuk kanë kapacitetet e nevojshme dhe mungesa e kadastrës fiskale përbën pengesë. Nëse do ti referohemi shifrave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga taksa mbi pasurinë kanë pësuar rritje progresive vit pas viti ndikuar kjo dhe nga rritja e lejeve të ndërtimit, dhe përsëri peshën e zënë disa bashki të mëdha, siç është Tirana apo Durrësi. Konkretisht përgjatë vitit 2022 janë mbledhur 27.6 miliardë lekë nga taksa e pasurisë, shifra më e lartë në dekadën e fundit, kapërcim i cili ka nisur nga viti pandemik 2020. Por pavarësisht kësaj, të ardhurat nga taksat mbi pronën për Shqipërinë zënë rreth 20% të të ardhurave të veta të vetëqeverisjes vendore dhe mbeten te ulëta krahasuar me vendet e rajonit. Për Shqipërinë të ardhurat janë rreth 0.3% e PBB ndërsa rajoni ynë ka një mesatare prej 0.7%. Strategjia e re e decentralizimit 2023-230 parashikon pikërisht ndërhyrjen në këtë drejtim dhe rritjen e kapaciteteve të qeverisjes vendore për ofrimin e shërbimeve, si edhe e autonomisë fiskale vendore. Synimi kryesor është rritja e nivelit të autonomisë financiare të pushtetit vendor, veçanërisht duke rritur nivelet e financimit të funksioneve vendore. Tradicionalisht, theksi i decentralizimit fiskal dhe rritjes se te ardhurave është tatimi mbi pronën, për shkak te potencialit për financat e pushtetit vendor duke mbetur relativisht një taksim më i drejtë në krahasim me taksimet e tjera. Ndaj, bashkitë do të bëhen pjesë e një reforme që ka dy objektiva, afatmesëm dhe afatgjatë. Objektiv afatmesëm do të jetë: rritja e te ardhurave për të gjithë kategoritë e tatimit mbi pronën, si për tatimin e ndërtesave, truallit apo tokës bujqësore, nëpërmjet zgjerimit të bazës së tatueshme, falë administrimit më të mirë fiskal.