Ecja për 30 minuta në ditë dhe yoga mund të ndihmojnë në reduktimin e lodhjes te pacientët me kancer dhe të zvogëlojnë rrezikun e përhapjes së sëmundjes, rikthimit ose vdekjes, sugjeron një hulumtim i ri.
Në botë, më shumë se 18 milionë njerëz kanë kancer çdo vit. Dihet se jeta joaktive rrit rrezikun e formave të ndryshme të sëmundjes. Për dekada të tëra, shumë onkologë dhe profesionistë të tjerë kanë hezituar t’i shtyjnë pacientët të ushtrohen pas regjimeve ndonjëherë rraskapitëse të trajtimit. Mirëpo kjo qasje po ndryshon.
Tre studime të paraqitura në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO), konferenca më e madhe e kancerit në botë, përmendin provat e shumta në rritje sipas të cilave, aktiviteti fizik mund të ndihmojë, jo të pengojë, pacientët.
“Të dhënat tona sugjerojnë se yoga redukton ndjeshëm inflamacionin te të mbijetuarit e kancerit,” shkruajnë autorët e studimit në një raport të botuar në takimin e ASCO.
Një studim tjetër zbuloi se pacientët me kancer që janë aktivë fizikisht mund të zvogëlojnë rrezikun e vdekjes me pothuajse një të pestën.