Sot në Elbasan Arena, duke nisur nga ora 19:00 do të dorëzohet trofeu i dytë i sezonit në futbollin shqiptar, pasi Tirana dhe Egnatia vihen përballë për finale e Kupës së Shqipërisë.
Ky 90 minutësh, ndoshta edhe 120, nuk vlen vetëm për trofeun dhe prestigjin, por edhe 5 milionë lekë që jepen për fituesin nga FSHF. Rrogozhinasit që vijnë për herë të parë në një finale vijnë me disa avantazhe siç janë pikë së pari tifozët. Rreth 3 mijë mbështetës do udhëtojnë nga Rrogozhina në Elbasan, ndërsa tifozët e Tiranës pas ngjarjes me Bylisin janë të dënuar.
Jo vetëm kaq, por Tirana ka të dënuar 9 futbollistë nga disiplina, të cilët një ditë më parë kanë apeluar dhe nuk do jetë çudi të falen në minutat e fundit. Megjithatë Orges Shehi e ka përgatitur finalen, duke shtuar edhe mungesat e 3 futbollistëve të dëmtuar.
“Nuk është se do futemi në fushë duke qarë ose duke thënë se ka ndodhur kjo apo ajo, pa lojtarë, por do futemi me besim, me autoritet siç i takon fanelës së këtij klubi. Pastaj trofetë janë të rëndësishëm për gjithësecilin, por sidomos për klubin,”-u shpreh Orges Shehi, trajner i Tiranës.
Kjo finale me shumë mundësi do jetë edhe ndeshja e fundit e Orges Shehit si trajner i Tiranës. Nga e mërkura atij i ka përfunduar kontrata dhe flitet se sezonin e ardhshëm do drejtojë Shkëndijën e Tetovës.
“Shkëndija është një klub shumë i rëndësishëm në arenën mbarëkombëtare të futbollit dhe kontaktet kanë qenë edhe më parë me ta. Unë mendoj që gjithçka do zgjidhet dhe do negocionet pas ditës së nesërme. Deri atëherë fokusi është te finalja që është shumë e rëndësishme për ne,”-tha Orges Shehi, trajner i Tiranës.
Si Tirana dhe Egnatia janë kualifikuar në Kupat e Europës, por bardheblutë rrezikojnë zbritje pikësh për shkak të dhunës që ushtruan tifozët ndaj arbitrit Kridens Meta në ndeshjen me Bylisin, që iu hoqi kampionatin bardhebluve.