MENU
klinika

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”

“Forumovera” hapet me filmin e Fatmir Koçit

22.06.2023 - 12:56

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një produksion i vitit 2022, çeli siparin e aktivitetit “Forumovera” në Qendrën për Hapje e Dialog (COD). Filmi i regjisorit Fatmir Koçi, u mundësua nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Në aktivitet ka qenë i pranishëm edhe regjisori Koçi, i cili ka bashkëbiseduar me të pranishmit.

Filmi me metrazh të gjatë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është përshtatja e romanit shqiptar me të njëjtin titull, i shkrimtarit Dritëro Agolli. Filmi përqëndrohet në bëmat e shokut Zylo, burokrat në Ministrinë e Kulturës së viteve ‘70. Për t’u bërë përshtypje eprorëve dhe anëtarëve të partisë së tij, shoku Zylo manipulon Demkën, një autor aspirues për të shkruar në emër të tij fjalime dhe raporte fenomenale të bazuara në teoritë e egra e të pamundura të Zylos, mbi atë çfarë është Kultura e Proletariatit.

Në film interpretojnë aktorë të rinj si Aleks Seitaj, Donald Shehu e Amos Zaharia, por gjejmë edhe aktorë të mirënjohur si Petrit Malaj, Kastriot Çaushi e Sokol Angjeli.

Fatmir Koçi ka në pasaportën e tij artistike një sërë filmazh të metrazhit të gjatë e të shkurtër, mes të cilëve veçojmë “Tirana viti zero”, për të cilin u nderua me çmimin “Aleksandri i Madh” në Festivalin e Filmit të Selanikut, si dhe filma si “Koha e kometës”, “Nekrologji” etj.