Kryeministri Albin Kurti nuk ka marrë ende një vendim nëse do të shkojë në takimin e Brukselit, për të cilit Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, njoftoi se do të mbahet javën e ardhshme për, siç tha ai, për të diskutuar krizën në Veri.
“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesëpikësh, mirëpo tash kemi një kërkesë që takimi të jetë në javën e ardhshme. Një herë u tha data 22, pastaj data 23, pastaj data sërish 22. Do ta diskutoj me ekipin tim dhe me siguri që do t’i japim një përgjigje javën e ardhshëm”, tha Kurti.
Kurti tha se është i angazhuar në dialog, por tha se po mungon zbatimi i plotë, pa kushte e pa vonesa i Marrëveshjes bazike dhe Ankesit të zbatimit.
“Një sekuencim që do të ishte i balancuar dhe fer, por që praktikisht është krejt i ndryshëm prej asaj që na është ofruar më 26 prill. Jemi të përkushtuar e konstruktivë, por s’mundet që çfarëdo sekuencimi që të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10”, tha ai.
Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?
Situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Një ditë më parë (14 qershor) në afërsi të Leposaviç, 3 pjesëtarë të Policisë së Kosovës u morën peng peng nga Forcat Speciale Serbe ‘Kobra’. Ngjarja ndodhi kur tre policët ishin duke patrulluar në kufi, në vendin e quajtur Tresave/ Bare.
Sipas Qeverisë së Kosovës, ky është një kundërpërgjigje për arrestimin 2 ditë më parë në Mitrovicën e Veriut, të serbit Millun Millenkoviç, një nga organizatorët e protestave të dhunshme në Veri. Serbia ka hedhur poshtë çdo pretendim. Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR-it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, 11 të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.