MENU
klinika

“Para arrestimit takoi bashkëpunëtorët nga zgjedhjet lokale”

Gazetarja zbulon detajet: Vangjush Dako rrezikon 7 vite burg. Ja si përfundoi në një qeli me Alqi Bllakon

10.06.2023 - 20:01

Arrestimi i ish-kreut të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, është ngjarja e javës dhe jo vetëm.

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, ka dhënë detaje të reja mbi ngjarjen, ndërsa ka deklaruar se para arrestimit zoti Dako ka takuar persona me të cilët kishte bashkëpunuar në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Lala ka deklaruar se ish-kreu i bashkisë Durrës rrezikon deri në 7 vite burg, por se situata e tij mund te rëndohet për sa kohë SPAK ka vullnetin të zgjerojë hetimeve.

Ajo shtoi se arrestimi i Dakos ishte një mesazh si dhe ka vënë në vështirësi politikën, pasi janë të pasigurt për atë që mund të ndodhë pas prangosjes së krahut të djathtë të kryeministrit Edi Rama.

Lala ka treguar edhe se si ish-kryebashkiku i Durrësit përfundoi në një qeli me Alqi Bllakon në burgun e Durrësit.

Pjesë nga diskutimi në studio:

Nisida Tufa: Arrestimi i Vangjush Dakos.

Klodiana Lala: Erdhi nga biznesi dhe vijoi si politikan vendor. Zoti Dako duket se ishte i vetëdijshëm për arrestimin, Avokati i tij pretendon se u vetëdorëzua, por se thuhet se një skuadër ka qenë në vëzhgim gjatë të gjithë kohës. Vetëm ditën e fundit ka qenë në Tiranë, një natë më parë ka qenë në Durrës në një nga hotelet e tij ku është takuar me persona që ka bashkëpunuar në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Arrestimin e Dakos dhe lirimin e Tahirit nuk i shoh të lidhura. Mendoj që SPAK ka vepruar kur ka parë që është pjekur çështja. Prokurorët në çështje të caktuara duan kohën e vet që të bëjnë veprime konkrete.
Dako konsiderohej si një njeri shumë i rëndësishëm për Durrësin dhe një njeri shumë i afër me kryeministrin Rama. SPAK ka dyshim për dekonspirim të hetimit.

Flasim për SPAK dhe kam kritikat e mia si strukturë. kam thënë që kur ishte zoti Kraja nuk kishte rezultat, por në 32 vite ka pasur pandëshkueshmëri. Dukej e largët dita që të mendonim se një person si Dako mund të ishte pas hekurave.

Njerëzit që kishin ardhur atë ditë për seancën e masës ë sigurisë ishin të sigurt se ai do të lirohej e do të ikte në shtëpi. Për mua Dako duhej të shkonte pas hekurave për ndikimin në zgjedhjet vendore e parlamentare dhe për lidhjen e tij me krimin e organizuar. Por duke parë që prokurorët nuk e kanë më në duar dosjen 339, them dakord është një vepër penale gjithsesi. Por SPAK duhet të hetojë të gjithë aktivitetin e tij në bashki dhe tenderat.

Nisida Tufa: Mund të ketë zgjerim të hetimit?

Klodiana Lala: Ka hetim pasuror. Ka të tjera çështje nën hetim, nëse ka vullnet mendoj që SPAK duhet të mbështetet.

Nisida Tufa: Cilësohet Dako një nga peshqit e mëdhenj?

Klodiana Lala: Për mua po. Mendoj që ai është një kampion. Është përzgjedhur si kampion sepse deri tani nuk ishte prekur, shihej si kampion i pandëshkushmërisë. Është personazh arrestimi i të cilit ka stepur edhe politikën duke menduar çdo të ndodhë me ne kur ka shkuar pas hekurave krahu i djathtë i kryeministrit.
Kryeministri minimalisht i detyrohet votuesve një falje për të mos shkuar më tej.
Ka deklaruar: Me siguri diçka ka ndodhur, edhe kur e sheh si mund të përdoret forca e pushtetit të drejtësisë për të bërë edhe gjëra që nuk shkojnë, Duket i pakënaqur me SPAK.

Nisida Tufa: Sa vite burg rrezikon Dako?

Klodiana Lala: Me akuzat deri tani rrezikon deri në 7 vite burg. Por nëse do ketë mbështetje, SPAK mund ta shtrij edhe më tej hetimin. ka pot prova e fakte që mund të rëndojnë ndjeshëm situatën e ish kreut të bashkisë së Durrësit.

Nisida Tufa: Si ka qenë qëndrimi i tij në burg dhe pse në një qeli me Bllakon?

Klodiana Lala: Ka qenë një kërkesë e tij. Është në të njëjtin sektor me Lefter kokën, marrëdhëniet e të cilëve para arrestimit nuk kanë qenë të mira, por i kanë ftohur gjakrat. I është kërkuar që të zgjidhte, sepse disa personazhe kur arrestohen fillimisht qëndrojnë në dhomën e izolimit për të parë nëse ka persona me të cilët kanë konflikt.
Dako ka kërkuar të jetë në një qelli me Bllakon.

Nisida Tufa: Po në arrestimet e vartësve të tij.

Klodiana Lala: Disa janë në arrati, disa janë në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitjeje.

Nisida Tufa: Do ketë arrestime të tjera?

Klodiana Lala: Mendoj që po, kanë disa dosje në hetim. Deri në fund të vitit do jetë një stinë plot goditje e lëvizje nga SPAK. Dako u arrestua për të dhënë edhe një mesazh. Që kur arrestohet edhe ai të tjerë mund të kenë radhën.