MENU
klinika

Histori e pazakontë/ Si mashtroi 57 vjeçari

“Krijoi” vajzën imagjinare dhe e regjistroi në trungun familjar!

29.06.2023 - 10:31

Një histori e rrallë dhe e pazakontë vjen nga qyteti i Kukësit. Një burrë, sot 57 vjeç, 21 vite më parë, në moshën 36-vjeçare ka arritur të regjistrojë si vajzën e tij, një fëmijë që nuk ekzistonte.

Nuk është mjaftuar me kaq. Fëmijën e pretenduar që askush nuk e kishte sjellë në jetë, por që e regjistroi në certifikatë familjare si të tijën, në vitin 2021, burri e shpalli të vdekur, dhe e çregjistroi nga gjendja civile. Por përse i duhej të mashtronte sikur kishte një fëmijë?

Sopaj “krijoi” vajzën imagjinare në vitin 2002, kur ndërkohë bashkëshortja e tij kishte sjellë në jetë 2 fëmijë në ‘98-n dhe në vitin 2000. Për të përfituar ndihmë më të lartë ekonomike nga shteti, sipas ligjit të kohës, familja duhej të kishte 3 fëmijë.

Policisë së Kukësit iu desh disa muaj të hetojë me metoda speciale, për të zbuluar se Xhevit Sopaj kishte falsifikuar ndër vite dokumentet.

“Nga veprimet hetimore rezulton se 57- vjeçari e ka kryer këtë veprimtari kriminale, për të përfituar pension më të lartë, bazuar në ligjin e kohës”, njofton Policia.

Në 2004 dhe 2007, zoti e bekoi këtë familje me 2 fëmijë të tjerë. Megjithatë, Xhevit Sopaj vijonte të kishte të regjistruar në trungun e familjes, edhe vajzën inekzistente, së cilës i kishin vënë emrin Ariola, deri kur fëmija që ekzistonte vetëm në letra, u bë 18 vjeç.

Ky është limiti i moshës kur prindërit përfitojnë ndihmë nga shteti. Kështu, në vitin 2021, në moshën 19-vjeçare, duke mos ndjerë më përfitime nga vajza e regjistruar vetëm në gjendje civile, Xh. Sopaj e shpalli të vdekur, për të fshirë çdo gjurmë të saj nga certifikata familjare.

Hetuesit kanë dyshime se në gjithë këtë veprimtari kriminale, 57- vjeçari të mos ketë qenë i vetëm. Ndaj po hetojnë për shpërdorim detyre, një mjek që mund të ketë bërë certifikatë false lindjeje, dhe administratorin e një agjencie funerale, që mund të ketë bërë certifikatën false të vdekjes. 57-vjeçari nga Kukësi do të hetohet nga Prokuroria për 2 vepra penale “mashtrimi” dhe “falsifikimi i vulave dhe stampave dhe formularëve”.

POLICIA
Policia e Kukësit bëri me dije ditën e djeshme të dhënat mbi gjithçka ishte zbuluar: “Operacioni, rezultat i një hetimi disamujor me metoda speciale, të iniciuar nga Policia e Kukësit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve, me qëllim përfitimin. Falsifikoi 21 vjet më parë dokumente për të regjistruar si vajzën e tij, identitetin e një fëmije të mitur që nuk ekzistonte, si dhe falsifikoi sërish dokumente në vitin 2021, për ta shpallur të vdekur këtë fëmijë, vihet në pranga 57-vjeçari.

Procedohen penalisht për dyshime për shpërdorim të detyrës, një mjek dhe administratori i një agjencie funerale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar të DVP Kukës kanë siguruar informacione për një rast të falsifikimit të dokumenteve, me qëllim përfitimin, dhe mbi këtë bazë kanë iniciuar një procedim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për arrestimin e shtetasve përgjegjës.

Si rezultat i hetimeve disamujore, me metoda proaktive, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Kukësit, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar ‘Regjistri’, si rezultat i të cilit: -u arrestua shtetasi Xh. S., 57 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale ‘Mashtrimi’ dhe ‘Falsifikimi i vulave i stampave dhe i formularëve’; -u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, për shtetasit A. E., me profesion mjek, dhe A. E., administrator i një agjencie funerale”.

Nga provat e siguruara dyshohet se për të përfituar pension më të lartë bazuar në ligjin e kohës, shtetasi Xh. S. ka falsifikuar dokumente, 21 vjet më parë, dhe ka regjistruar brenda trungut të tij familjar (si të bijën), identitetin e një shtetaseje të mitur e cila nuk ekzistonte. Gjithashtu, në vitin 2021, 57-vjeçari ka falsifikuar skedën për vdekjen e kësaj shtetaseje, me qëllim çregjistrimin nga regjistri i Gjendjes Civile. Për shtetasit A. E. dhe A. E. vijojnë hetimet, me qëllim provimin nëse këta shtetas kanë qenë apo jo të implikuar në nxjerrjen e dokumenteve false që ka përdorur shtetasi Xh. S.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Policia zbulon mashtrimin në Kukës: Për pensionin…

Regjistroi vajzën “fantazmë” dhe e “vrau” pas 21 vitesh