MENU
klinika

Masakra me 4 të vrarë në Velipojë

I shpallur në kërkim, arrestohet shqiptari në Itali

11.06.2023 - 11:32

Elmidin Dyli është vënë në prangat e policisë ditën e sotme në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Velipojë në vitin 2021 ku mbetën të vrarë 4 persona.

Ai është kapur nga policia italiane dhe tashmë pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.

“Policia e Shtetit falënderon homologët italianë dhe zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, për bashkëpunimin e shkëlqyer policor në interes të të dy vendeve dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga ngjarja dy viteve më parë, viktima mbetën Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Musaen Zeneli vetëm 20 vjeç, ndërsa u plagosën Hasan Ferracakut dhe Elmidin Dyli, nipi i Kujtim Ferracakut.

Njoftimi i plotë
Vijon bashkëpunimi i suksesshëm më partnerët, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, një shtetas shqiptar i kërkuar për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Falë inteligjencës policore, bashkëpunimit të ngushtë me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, si dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me Interpol Romën, u finalizua nga Policia italiane, operacioni policor i koduar “Rimini”.

Strukturat e Policisë së Shtetit, prej disa ditësh, kishin siguruar informacion se në zonën e Riminit fshihej një shtetas i kërkuar për vrasje. Interpol Tirana bashkëpunoi ngushtë me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me homologët e Interpol Romës, për shkëmbimin në kohë reale të këtij informacioni.

Policia e Riminit, bazuar në këto informacione, organizoi operacionin policor të koduar “Rimini”, në kuadër të të cilit lokalizoi, kapi dhe shoqëroi shtetasin e kërkuar ndërkombëtarisht, autor të dyshuar për vrasje.

Pas verifikimeve të thelluara të kryera ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane, mëngjesin e sotëm është bërë identifikimi i shtetasit të shoqëruar E. D., i cili u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Shtetasi E. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tirana, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2021, në Velipojë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, 4 shtetas.

Policia e Shtetit falënderon homologët italianë dhe zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, për bashkëpunimin e shkëlqyer policor në interes të të dy vendeve dhe më gjerë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN