MENU
klinika

Nga "DW"

Investues privatë për rindërtimin e Ukrainës?

21.06.2023 - 15:48

Këtë javë, bashkësia ndërkombëtare po takohet për të diskutuar rindërtimin e Ukrainës. Fokusi është kryesisht te sektori privat. Por edhe Ukraina ka punë për të bërë.

411 miliardë dollarë amerikanë, ose rreth 383 miliardë euro, nevojiten që Ukraina të rindërtohet pas një viti lufte të agresionit rus. Ky është të paktën vlerësimi i bërë në mars 2023 nga Banka Botërore në bashkëpunim me qeverinë ukrainase, Komisionin Evropian dhe OKB. Këto kosto duhet të shtrihen në dhjetë vjet dhe të mbulohen nga investimet private dhe publike. Sipas agjencisë së lajmeve dpa, vetë Ukraina e vlerëson dëmin në 750 miliardë dollarë. Dhe Komisioni Evropian thotë në faqen e tij të internetit se për sa kohë që lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë vazhdon, shuma e plotë e dëmit nuk mund të vlerësohet ende.

Vetëm në vitin 2023, Ukrainës do t’i nevojiten 14 miliardë dollarë amerikanë (12.8 miliardë euro) për të rindërtuar infrastrukturën dhe ndërtesat, ka llogaritur Banka Botërore. Këto janë shifrat që do të diskutohen edhe këtë javë në Londër.

Këtë të mërkurë dhe të enjte, Britania e Madhe po bashkëorganizon me Ukrainën një konferencë ndërkombëtare për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta. Përveç Sekretarit të Shtetit të SHBA Blinken, pritet të marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen si dhe ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock dhe ministrja e Zhvillimit Svenja Schulze (SPD).

Formati bazë i konferencës ka disa vite që ekziston; në vitin 2022, ajo u shndërrua në një konferencë rindërtimi në Lugano të Zvicrës. Rreth dyzet shtete dhe disa organizata ndërkombëtare kishin rënë dakord më pas me Ukrainën për shtatë elementë – parimet e Luganos – të cilat do të drejtonin rindërtimin. Sipas këtyre parimeve, Ukraina duhet të udhëheqë dhe avancojë vetë procesin e rindërtimit, por gjithashtu të forcojë sistematikisht sundimin e ligjit dhe të luftojë korrupsionin në mënyrë më efektive. Përveç kësaj, financimi për rindërtimin duhet të jetë i drejtë dhe transparent. Atëherë mungonin premtimet konkrete financiare.

A do të ketë premtime konkrete?
Këtë herë duket se është ndryshe. Një ditë përpara konferencës, Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken njoftoi një paketë “të fuqishme” ndihme për konferencën e Ukrainës. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen la të kuptohet gjithashtu për ndihmë shtesë për Ukrainën të martën. Ajo u kërkoi vendeve anëtare të BE-së të rrisin buxhetin aktual të BE-së, në veçanti të vënë në dispozicion një rezervë financiare prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën për vitet 2024 deri në 2027. Kjo paketë do të përfshijë si grante ashtu edhe kredi dhe do të shërbente gjithashtu si një nxitje për financues të tjerë. Shtetet Anëtare dhe Parlamenti tani duhet të votojnë për këto propozime.

André Härtel, i fondacionit me qendër në Berlin Shkenca dhe Politika, e sheh njoftimin e Komisionit Evropian si një përpjekje për të shmangur disi angazhimet konkrete financiare përpara konferencës. Sipas André Härtel, diskutimet po vazhdojnë aktualisht për të përcaktuar se çfarë financimi fillestar nga aktorët publikë mund të stimulojë mjaftueshëm sektorin privat për t’u përfshirë më shumë në rindërtimin e Ukrainës..

Paratë duhet të vijnë edhe nga privatët
Sipas kryeministrit britanik, në konferencë pritet të marrin pjesë më shumë se 1000 personalitete ndërkombëtare nga 61 vende si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe qindra sipërmarrës e drejtues të lartë. Sipas informacioneve të tij, qeveria britanike po punon për të prezantuar një sërë instrumentesh të zhdërvjellta dhe të shpejta për t’u zbatuar, si një platformë digjitale që lejon bizneset ukrainase të lidhen më mirë me lojtarët globalë në të ardhmen.

Sipas André Härtel-it, një nga temat qendrore të konferencës nuk është vetëm çështja se si të motivohen donatorët privatë, por edhe si të minimizohen rreziqet e investimeve të tilla private. Për sa kohë që Ukraina është në luftë, këto rreziqe janë veçanërisht të larta. Aktualisht, një propozim në këtë kuptim është ende duke u zhvilluar në nivele të ndryshme, shpjegon André Härtel. Në konferencë, eksperti në Evropën Lindore pret përparim konkret se si mund të sigurohen investimet private, për shembull përmes modeleve të reja të sigurimit. Megjithatë, ai nuk pret fonde të konsiderueshme nga sektori privat derisa të ketë një armëpushim ose një traktat paqeje, tha Härtel për DW.

Ukraina duhet të krijojë mjedis të favorshëm për investime
I takon Ukrainës që të krijojë mjedisin më të mirë të mundshëm për të tërhequr këto investime, tha të martën Sekretari amerikan i Shtetit Blinken në prag të konferencës në Londër.

Eksperti Härtel beson se rindërtimi i suksesshëm dhe garancitë e sigurisë duhet të ecin paralelisht. Problem mbetet edhe korrupsioni në vend, me gjithë përmirësimet e viteve të fundit. Sipas Härtel-it, kjo “i jep dhimbje koke Perëndimit – për sa i përket së ardhmes, për sa i përket rindërtimit”. Nga këndvështrimi i tij, duhet të ketë një formë kontrolli ligjor – veçanërisht përballë fondeve të ardhshme. Kjo, për shembull, mund të ushtrohet duke hapur procedurën për anëtarësim në BE. Që nga vera e vitit 2022, Ukraina ka qenë një kandidate për anëtarësim në BE dhe tani duhet të ndërmarrë reforma të mëdha, përpara se të fillojnë negociatat faktike./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza nga "The Economist"/ Pengesa ligjore dhe praktike

A do ndihmojë konfiskimi i aseteve ruse rindërtimin e Ukrainës?

Modeluar sipas Planit Marshall

Analiza e REL: Si do të rindërtohet Ukraina?