MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Ka të drejtë edhe qeveria “ndonjëherë”

20.06.2023 - 20:42

Nuk ka pasur rezistencë ndaj SHBA-së për strehimin e muxhahedinëve në vendin tonë. Sa herë që Shqipërisë i janë kërkuar kontribute, sidomos nga SHBA-të, përgjigja ka qenë e menjëhershme: Po janë të mirëpritur! Historia e post demokracisë e tregon këtë. Zyrtarisht, në vitin 2013, Shtetet e Bashkuara kërkuan që MEK-u të zhvendosej në Shqipëri, por organizata fillimisht e refuzoi ofertën. MEK përfundimisht pranoi të zhvendoste rreth 3000 anëtarë në Shqipëri dhe SHBA-ja i dhuroi 20 milionë dollarë agjencisë së OKB-së për refugjatët për t’i ndihmuar ata të rivendoseshin. Më 9 shtator 2016, të fundit ishin më shumë se 280 anëtarë të mbetur të MEK-ut që u zhvendosën në Shqipëri. Për pak kulturë: Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), e njohur gjithashtu si Mojahedin-e-Khalq (MEK) ose Organizata Mojahedin-e-Khalq (MKO) është një organizatë ushtarake iraniane, e cila mbron përmbysjen e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit dhe vendosjen e qeverisë së saj. MEK u themelua më 5 shtator 1965 nga studentë të majtë iranianë të lidhur me Lëvizjen për Lirinë e Iranit për të kundërshtuar Shahun Mohammad Reza Pahlavi.

Kosova ka bërë të njëjtën gjë me afganët (paçka se rasti s’është i njëjtë) edhe pse ka një mal me vështirësi dhe tashmë gjendet në një nga udhëkryqet e saj më të mëdha historike. Kështu ka ndodhur edhe me muxhahedinët në Shqipëri. Nëse nuk shikoje nga kronikat hapësirën dhe masën e madhe të tyre, atëherë nuk bindeshe dot për thellësinë e problemit, por edhe zemërgjerësinë e Shqipërisë. Të njëjtën gjë me shumë gjasë do e bënte cilido politikan, përfshirë edhe Berishën.

Në orët e fundit një aksion i policisë mbi MEK-un, me dyshime se përgatit sulme kibernetike, ka sjellë si pasojë shumë të lënduar dhe mëtohet edhe për një të vdekur prej policisë, që sipas Ministrit Çuçi: “Personi që ka vdekur sot në kamp, ju garantoj që vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i forcave të policisë. Po presim ekspertizën mjeko-ligjore”.

Ndërkohë që arsyetimi i policisë ka qenë shumë i saktë dhe i thjeshtë, duke treguar prej mandatimit prej SPAK-ut: “Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qenë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale”.

Pa u sqatruar asgjë: Nuk pritur z.Berisha, që falë aksesit në media menjëherë ia ka veshur Ramës të gjithë aksionin: “Inkursioni agresiv dhe banditesk i Policisë së Shtetit, me urdhër të Edi Ramës në kampin e refugjatëve iranianë, përbën një krim të shëmtuar, një dhunim flagrant të të gjitha ligjeve të vendit, konventave ndërkombëtare për refugjatët, traditës shqiptare dhe detyrimit që vjen nga kjo traditë si vend mikpritës. Dënoj me ashpërsinë më të madhe terrorin fizik dhe psikologjik të ushtruar ndaj muxhahedinëve. Dënoj dhunën e egër fizike, e cila ka patur pasojë një viktimë deri tani dhe mbi 40 të plagosur. Dënoj veprimet banditeske, pasi të gjitha objektet e konfiskuara janë marrë pa lënë asnjë dokument apo procesverbal nga ana e policisë së Edi Ramës”. Emisarë të tjerë, pranë tij, e kanë ndjekur duke bërë protagonistin. Ndërkohë nuk është shprehur ende SHBA deri më tash.

Në një logjikë të thjeshtë kuptohet se i gjithë është aksion, që megjithëse është bërë konform të gjithë ligjeve shqiptare, ka pasur indikacione të huaja. Dhe, Shqipëria duke qenë vend i Paktit të Atlantikut Verior jo thjesht i duhet të zbatojë gjithçka por të japë kontributin e saj të vyer. Në këtë rast duket se atë ka bërë as më pak e as më shumë. Të paktën, kjo lihet të nënkuptohet nga i gjithë aksioni, që nuk është çudi të jetë dhe indikacion i SHBA-ve. Por, një gjë të bën përshtypje, se edhe kur veprohet nga autoritetet e shtetit, gjithnjë nga Berisha & Co, interpretohet si gabim. Çfarë do t’i thonë militantëve, nëse SHBA-ja do t’ua vlerësojë përpjekjen autoriteteve shqiptare? Çfarë do të thonë nëse vërtetohet gjithçka, si e drejtë? Po a ka ndonjëherë vallë të drejtë qeveria shqiptare për Berishën & Co?!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN