“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacientja: Jam 44 vjeç dhe para ca ditësh jam diagnostikuar me gastrit. Doja të dija nëse ka ushqime që nuk duhet ti konsumoj absolutisht dhe çfarë duhet të shtoj në meny për lehtësuar dhimbjet?
Mjekja: Së pari do të se tashmë është hequr dorë nga ideja e dietave strikte, apo ndalimit në mënyrë kategorike të disa ushqimeve, pasi çdo ushqim vepron në sekrecionet e stomakut në mënyrë të ndryshme. Sot rekomandohet një diete e ekuilibruar, e larmishme dhe e shëndetshme. Gjithsesi pacientët që vuajnë nga stomaku e dinë se ekzistojnë disa rregulla të përgjithshme që parandalojnë formimin e problemit dhe lehtësojnë dhimbjen. Të tilla janë shmangia e ushqimeve tepër të ftohta, ose tepër të nxehta, përdorimi i substancave irrituese për mukozën e stomakut si piperi, specat djegës, medikamente si apsirina. Nuk rekomandohen të skuqurat, pijet alkoolike që mund të dëmtojnë mukozën gastrike dhe pijet e gazuara, të cilat ngadalësojnë tretjen. Nuk duhet përdorur kafeja dhe duhani, në mënyrë absolute. Duhet të përdorni ushqime të ziera, bukë të thekur për të thithur lëngjet acide, fruta dhe perime të freskëta. Mbi të gjitha do të rekomandoja të haheshin të tre vaktet kryesore, sidomos mëngjesi. Kjo për faktin se gjatë natës akumulohen shumë lëngje gastrike, të cilat nëse nuk “neutralizohen” nga ushqimi do të veprojnë mbi mukozat e stomakut duke i gërryer ato”.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.