Ishujt Faroe-Shqipëri mund ta quajmë si një ndeshje historike, për vetë faktin se asnjëherë ekipet kombëtare nuk janë përballur mes tyre, qoftë edhe takime miqësore.
Të martën në orën 20:45 në stadiumin “Torsvullur”, që ka një kapacitet prej 6040 vendesh, kuqezinjtë do të përballen me një të panjohur të madhe, që në dekadën e fundit ka bërë jo pak surpriza. Ishujt Faroe nuk janë San Marino, Lihtenshtajni apo Luksemburgu, madje në renditjen e FIFA-s janë shumë më lart edhe se Moldavia, që kuqezinjtë mposhtën vetëm dy ditë më parë në “Air Albania”. Një nga fitoret më të bujshme të viteve të fundit të kundërshtarit të Shqipërisë është pikërisht ajo kundër Turqisë me shifrat 2-1 më 25.09.2022, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Që prej vitit 2019, Kombëtarja që përfaqëson shtetin me një popullsi prej 54 mijë banorësh dhe si kryeqytet ka Torshavnin me 22 mijë banorë, drejtohet nga trajneri suedez, Hakan Erikson. Ky i fundit është një 63-vjeçar që më parë ka drejtuar Kombëtaret U-21 dhe U-23 të Suedisë. Ylli i skuadrës është Klamint Olsen, i cili ka realizuar 10 gola me fanellën e Kombëtares në 56 ndeshje të luajtura deri më tani që nga viti 2012 kur është grumbulluar për herë të parë. Sulmuesi aktivizohet në Islandë me Breidablik. Ndërkohë, në historinë e shtetit të vogël që nisi të luante ndeshje ndërkombëtare prej vitit 1988, fitoret më të bujshme i takojnë viteve 2014-2015, kur brenda një edicioni eliminator për Europianin 2016, mposhtën dy herë Greqinë (0- 1 në Athinë dhe 2-1 në Torshavn). Nesër të besuarit e Silvinjos i pret një ndeshje e vështirë, për më tepër që u duhet me patjetër fitorja.
UDHËTIM MARATONË – Mbledhje në 02:00 të natës dhe më pas udhëtim sfilitës drejt Ishujve Faroe që në 7 të mëngjesit. Kjo ka qenë axhenda e Kombëtares shqiptare pas ndeshjes me Moldavinë. Si kurrë më parë pas një takimi të zhvilluar në Tiranë, skuadra ka qenë në luftë me kohën. Udhëtimi drejt Torshavnit ka qenë i lodhshëm, për vetë faktin se deri në destinacion ka pasur dy ndalesa. Kombëtarja ka udhëtuar me itinerarin Tiranë-Vjenë-Kopenhagen-Torshavn. FSHF nuk kishte prenotuar një çarter drejt Ishujve Faroe, me udhëtimin direkt që do të zgjaste 5 orë, ndërsa dje ekipi ka mbërritur pasdite, duke qenë 10 orë në avion.