MENU
klinika

“Kosova ka ngelur në mes të katër rrugëve..."

Kulluri: Kurti po saboton në mënyrë të qartë avancimin e negociatave

16.06.2023 - 19:16

Analisti Edvin Kulluri tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç po sabotojnë njohjen reciproke të Kosovës. Në një intervistë për “News Line” në ABC News, analisti tha se Kurti nuk e do pavarësinë e Kosovës pasi po pengon negociatat me veprimet që bën.

“Duket sikur të dyja këto lëvizje vazhdojnë lojën e Kurtit dhe Vuçiç për të sabotuar një marrëveshje të mundshme më pranë së kurrë pas dy takimeve në Bruksel dhe Ohër. Komiteti ndërkombëtar po priste që të ecnin me marrëveshjen e Ohrit me zbatimin e saj: një, asociacionin dhe dy, çështjen e të zhdukurve kosovarë gjatë ’99. Në të dy çështjet njëherë saboton njëra palë njëherë tjetër. Ose nuk pranon Serbia çështjen e të zhdukurve ose është Kurti që shtyn çështjen e Asociacionit. Për mendimin tim, edhe Kurti edhe Vuçiç po sabotojnë njohjen reciproke të Kosovës.

Nga pikëpamja e brendshme të dyve iu shërben për t’u shitur si patriotë dhe nacionalistë të mëdhenj brenda Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka asnjë avancim që me ardhjen e Kurtit në pushtet, ka pasur pengesa të vazhdueshme që me demarkacionin me Malin e Zi, në vazhdim me marrëveshjen e Uashingtonit dhe me marrëveshjen e fundit nën ombrellën e administratës Biden arrijmë në një përfundim logjik që Albin Kurti po saboton në mënyrë të qartë avancimin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke. Të duash Kosovën do të thotë të arrish marrëveshjen. Besoj se kush nuk e do pavarësinë e Kosovës është Albin Kurti dhe nuk ka aktor të tjerë pavarësisht se opozita është e dobët për ta bërë të dukshme këtë gjë.”, tha Kulluri.

Ai shtoi se Kosova është lënë mes të katër rrugëve për shkak të qeverisë Kurti.

“Kosova ka ngelur në mes të katër rrugëve nën drejtimin e Albin Kurti dhe është e pafalshme që në të dy anët e kufirit tonë ka politikanë që po nxisin ndjenja anti amerikane dhe antiperëndimore. Këtej e dimë shumë mirë, Kurti nga njëri krah dhe e djathta shqiptare që ka një marrëdhënie të komplikuar me perëndimorët. Kurti është një orator shumë i zoti dhe një makinë elektorale por nëse kjo makinë elektorale e dëmton Kosovën, duhet flakur tutje. Ka gabim më të madh me një shtet me sovranitet të kufizuar të përplaset me ata që të garantojnë sovranitetin? Çfarë dëmi më të madh mund t’i bëjë Kurti Kosovës përveçse të pengojë njohjen e Kosovës nga Serbia. Nëse Serbia njeh Kosovën, të gjitha vendet që nuk e njohin janë të detyruara ta njohin. Albin Kurti po bën të kundërtën të asaj që duhet të bënte, të krijojë kushtet që serbia të njohë Kosovën.“, shtoi Kulluri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN