MENU
klinika

Rinovimi i certifikatës së fiskalizimit

Kur pritet të nis sistemi i ri për pagesat bankare online

12.06.2023 - 12:28

Bizneset dhe kontabilistët ngrenë shqetësimin se për rinovimin e certifikatës së fiskalizimit, tashmë duhet të presin 15 deri në 20 ditë nga 10 ditë që është afati maksimal i tërheqjes së saj.

Shkak i vonesave, sipas tyre dhe AKSHI-t, është mosfunksionimi i modulit të pagesave online nëpërmjet e-Albania.

Sistemi për pagesat online të certifikatës së fiskalizmit nuk funksionon prej 2 muajsh. AKSH-i thekson se mosfunksionim i këtij moduli ku kryheshin online pagesat nëpërmjet kartës së debitit dhe kreditit, erdhi pas sulmit kibernetik që iu shkaktua njërës nga bankat e nivelit të dytë.

Burimi nga Shoqata e Bankave të Shqipërisë thanë për “Monitor” se nga komunikimet që kanë pasur me AKSH-in pritet që moduli i pagesave online të fillojë të funksionojë brenda 2 apo 3 javësh, por nëpërmjet një banke tjetër të nivelit të dytë.

Fillimisht funksionimi i sistemit do të jetë me pagesë nga llogaria e biznesit. Konfirmimi i pagesës do t’i dërgohet AKSHI-t nga banka e nivelit të dytë dhe pas subjektet do të vijojnë me marrjen e shërbimit.

Ngarkimi i certifikatës është i domosdoshëm për bizneset, pasi nëpërmjet këtij dokumenti ata përdorin platformën qendrore SelfCare për lëshimin e faturave elektronike.

Kontabilisti Armand Mala tha për Monitor se të gjithë subjektet pajiseshin me certifikatë elektronike brenda 1 ore pas momentit të aplikimit në rastet se kryenin online pagesën.

“Prej gati 2 muajsh moduli për pagesë me kartë nuk punon. Kjo është një problem për bizneset, pasi kur pagesa kryhej me kartë bankare, pagesa konfirmohej direkt dhe certifikata dërgohej për një orë. Tani bizneset presin mesatarisht 15-20 ditë, pasi arkëtimet e pagesave bëhen në sportelet e bankave.

Për të përfunduar procesin e aplikimit duhet të ngarkohet online edhe mandatpagesa. Për verifikimin e mandatpagesave nevojitet më tepër kohë çka krijon këtë vonesë”.

Më herët, subjektet tregtarë ngritën edhe shqetësimin për refuzimin te rinovimit të certifikatës së fiskalizimit (afati i vlefshmërisë është 1 vjeçar) për rastet kur shënohej në të dhënat numri NIPT. AKSHI sqaroi për “Monitor” se arsyeja pse kërkohet që të citohet përfituesi në mandat ishte shmangia e abuzimeve.

Deri në muajin prill 2023, sipas të dhënave të tatimeve për “Monitor”, numri i bizneseve të fiskalizuara ishte 108,414 subjekte. Në raport me totalin e bizneseve aktive 12% e tyre rezultonin të pafiskalizuara.

Administrata tatimore më herët tha se bazuar në analizën e tyre për këtë kategori biznesesh (që ende nuk janë fiskalizuar) 5,800 prej tyre pritet të fiskalizohen së shpejti, pasi janë tatimpagues të rinj.

Arsye të tjera pse pjesa tjetër e bizneseve nuk janë fiskalizuar, sipas tatimeve rezultojnë tatimpagues të cilët rezultojnë aktiv, por nuk ushtrojnë aktivitet dhe nuk çregjistrohen për arsye të detyrimeve tatimore të papaguara, si dhe tatimpagues të cilët kanë mospërputhje të formës ligjore “ambulant” dhe “person fizik”.

Zbatimi i procesit të fiskalizmit u shtri në 3 faza përgjatë 2 viteve. Faza I nisi nga 1 janari 2021 për transaksionet mes enteve publike.

Faza II, që nisi më 1 korrik 2021, përfshiu në procesin e ri të faturimit, transaksionin pa para në dorë mes bizneseve. Faza III dhe përfundimtarja, që u konsiderua dhe më delikatja nisi 1 shtatori 2021, ku u përfshinë në fiskalizim edhe bizneset e vogla për shitjet me para në dorë./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


'I bëjmë thirrje Shqipërisë për forcimin e masave kundër pastrimit të parave"

Ambasadorja e SHBA takon ministren e Financave: Mbështesim fiskalizimin!